Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Bërnjak të Rahovecit, ku dyshohet se një person ka vrarë me armë zjarri e më pas ka djegur vëllain e tij.
Rasti dyshohet se ka ndodhur për shkak të disa parave që viktima kishte sjell nga Zvicra.
Fillimisht viktima ishte shpallur i zhdukur me 27 mars, në stacionin policor ne Rahovec.
Bashkëshortja e 64 vjeçarit, kishte raportuar në polici për zhdukjen e tij.
Rasti ishte iniciuar në stacionin policor në Rahovec ndërsa për shkak të peshës së veprës dhe ndjeshmërisë, rasti ka kaluar për hetim në Sektorin Rajonal për Hetime nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë me datë 13.03.2020.
Pas një pune intensive operative hetimore hetuesit rajonal në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin e çështjes kanë arritur të ndriçojnë rrethanat e rastit.
Policia ka identifikuar personin e dyshuar G . K, i lindur në vitin 1961, si kryes i mundshëm i veprës penale ,,Vrasje e rëndë”.
Ndërkaq sot është arrestuar personi në fjalë i cili është familjar i viktimës (Vëllai i tij).
35 mijë franga e 8 mijë euro ka gjetur policia gjatë bastisjes, e të cilat dyshohet se janë të viktimës.
Sipas policisë, trupi i pajetë dyshohet se është djegur nga i dyshuari, policia ka gjetur vetëm disa mbetje në vendin e ngjarjes.
Po ashtu në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme e parave të cilat dyshohet se i dyshuari i ka përvetësuar nga viktima pas kryerjes së veprës, po ashtu nga i dyshuari janë konfiskuar edhe dy armë të mbajtura pa leje dhe municion të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale.
Personi i arrestuar me urdhër të prokurorit të shtetit mbahet në ndalim policor.