2.3 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Rafuna: Rritja ekonomike prej 3.5 % e pamjaftueshme, nuk sjell zhvillim as ulje të papunësisë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se rritja njëshifrore ekonomike e parashikuar nga Banka Botërore këtë vit është e pamjaftueshme.

Në një bisedë për Ekonomia Online, Rafuna ka thënë se rritja prej 3 deri në 3.5 për qind, sa parashikohet, nuk sjell zhvillim ose ulje të papunësisë.

Kreu i Odës, i cili më herët ka ushtruar dhe detyrën e ministrit të Financave, thotë se masat e Qeverisë Kurti kanë qenë të pakta për t’u përballur me krizën dhe inflacionin.

Sipas tij, Qeveria duhet të përqendrohet në rritjen e investimeve kapitale, rritjen e pagave në sektorin publik që duhet të jetë e barabartë me vlerën e inflacionit, si dhe mbështetjen e sektorit privat.

Rafuna thotë se viti 2022 ishte më stabil pas hapjes post-pandemike, që solli dhe rritjen e ofertës dhe kërkesës në treg. Por, parashikimet e Bankës Botërore për vitin 2023 janë më të zymta.

“Rritja ekonomike do të jetë 3 deri në 3.5 për qind. Kjo rritje nuk është e mjaftueshme. Rritja njëshifrore nuk sjell zhvillim ose ulje të papunësisë”.

Rafuna thekson se për t’u vërejtur një ngritje e mirëqenies sociale, rritja do të duhej të ishte dyshifrore.

Ai ka kërkuar nga ekzekutivi që bizneset të ndihmohen në forma të ndryshme, në mënyrë që të tejkalohet më lehtë kjo krizë. Sugjeron dhe masa të tjera.

“E para duhet t’i kushtohet shumë rëndësi investimeve kapitale, të jetë më agresive, në kuptim pozitiv, që projektet që i ka planifikuar me ligjin e buxhetit, të implementohet në kohë sa më të shkurtër, pa bërë ndonjë shkelje ligjore. Gjithashtu, kishte me qenë e rëndësishme për ta luftuar inflacionin që të ketë një rritje të pagave në sektorin publik, për shkak se do të krijonte një siguri te çdo i punësuar”.

“Ne shohim se vitin e kaluar ka pasur një rënie të sasisë së mallit, pra një ulje të konsumit për shkak të inflacionit. Vlera e parasë në vitin 2021 për një shportë familjare, nuk është e njëjta me 2022-ën”, u shpreh Rafuna.

Pagat, sipas tij, duhet të rriten në proporcion me vlerën e inflacionit.

“Te Ligji i Pagave, i pamë ankesat. Vlera e koeficientit në disa raste ka shkaktuar ulje, te një pjesë e shërbyesve publikë ka pasur një ngritje të vogël, por prej ankesave që kemi parë, shumica nuk janë të kënaqur dhe ajo rritje që është bërë nuk është bërë në proporcion me nivelin e inflacionit”.

“Rritja e pagës minimumi duhet të jetë në vlerën e inflacionit, kjo ka qenë kërkesa jonë, për ta stimuluar konsumin”, thekson kryetari i OEK-ut.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img