Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna , bëri të ditur që në këtë vit ka dukshëm rënie të inflacionit, krahasuar atë me vitin 2022.
Megjithatë, Rafuna tha se çmimet nuk do të kthehen më siç kanë qenë para kohës së inflacionit.
“Fatmirësisht ka një stagnim të inflacionit, nuk ka një rritje siç ishte në vitin e kaluar. Këtë vit inflacioni është shumë më stabil, kemi rënie të inflacionit, mirëpo pasojat vërehen dhe janë evidente ende për arsye se vazhdojmë të kemi shtrenjtim të çmimeve. Kjo nënkupton që çmimet nuk janë kthyer në kohën e para inflacionit dhe nuk do të kthehen më. Kosova është drejtpërdrejtë e ndikuar nga tregu evropian”, deklaroi Rafuna në Tëvë1.
Më tej, Rafuna tha se bizneset janë përballur me pasiguri të madhe.
“Ka qenë shumë sfiduese për bizneset. Ka pasur shumë pasiguri tek ato. Saqë patën ardhur në atë situatë duke bërë kontrata vetëm javore, vetëm për një javë e kanë pasur çmimin e garantuar”, shtoi tutje Rafuna në Tëvë1.
Ndërkaq, i pyetur se sa ka qenë ndihmuese Qeveria e Kosovës për t’u kaluar kjo krizë, Rafuna vlerësoi që më shumë kanë qenë të ndihmuara kategoritë tjera.
“Ne kemi ngritur zërin dhe kemi kërkuar gjatë tërë kohës që Qeveria ta ketë një pako për të na ndihmuar. Kanë qenë disa masa, por shumë më të buta, më shumë kanë ndihmuar kategori tjera se sa drejtpërdrejt bizneset”, deklaroi Rafuna.