Site icon PrishtinaPress

Rafuna: Çmimet do të stabilizohen, pagat e sektorit privat janë ngritur

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, në një intervistë p ka thënë se ka indikacione të mira nga tregu evropian, por edhe ai global, për stabilizimin e inflacionit dhe ekonomisë në përgjithësi.

Mirëpo, sipas Rafunës çmimet nuk do të kthehen në nivelin të cilin ishin para pandemisë.

Teksa ka përmendur disa sfida aktuale të bizneseve kosovare, kryetari i OEK-ut ka treguar se, përkundër atyre sfidave, ka edhe rritje të pagave në sektorin privat.

“Ka qenë një periudhë sfiduese për bizneset. Pas pandemisë, pati një shpresë se do të hapej tregu, mirëpo nuk u arrit që zinxhiri i furnizimit të stabilizohej. Menjëherë pas kësaj pasoi lufta Ukrainë-Rusi, prapë u çrregullua tregu, inflacioni. Ishte edhe pasiguria rreth energjisë elektrike, se a do të ketë furnizim, a do të shtrenjtohet”.

Siç sqaroi Rafuna, rënia e çmimit të derivateve, çmimit të gazit dhe e shpenzimeve të transportit ndërkombëtar janë indikacione të mira për stabilizimin e çmimeve.

“Indikacionet që na vijnë prej tregut evropian, prej të cilit dihet se jemi së pari të varur e më pas edhe nga ai global, na tregojnë se inflacioni ka filluar pak të bie. Kur marrim parasysh se çmimi i derivateve ka rënë, çmimi i gazit po ashtu, shpenzimet e transportit ndërkombëtar janë ulur – këto janë indikacione të mira që do të kemi një stabilizim të çmimeve, një rënie të lehtë. Por, duhet të jemi të vetëdijshëm që çmimet nuk do të kthehen në masën e para pandemisë”.

Ndërsa, rritjen e pagave të sektorit privat ai e ka mirëpritur edhe pse “nuk janë pagat më të mëdha të mundshme”.

“Jam shumë i lumtur që sektori privat ka lëvizur me pagat. Nuk janë pagat më të mëdha të mundshme. Varësisht mundësive, bizneset kanë lëvizur me një rritje të mirë të pagave. Këtë e them nga terreni që i vizitoj bizneset, nuk kam hasur në asnjë punëtor që është ankuar për pagën e vogël”.

I pyetur  për moszgjedhjen e bordeve të Bankës Qendrore dhe TRUSTI-t, Rafuna ka thënë se është e pafalshme nga Qeveria, si nga ana e qytetarëve ashtu edhe nga ajo e bankave të cilat nuk kanë kujt t’i drejtohen.

“Nuk është mirë kjo që po ndodh, sidomos kur kemi një tronditje në sistemet financiare të Amerikës, Gjermanisë, tani së fundi edhe Zvicrës. Kosova ka qenë për lakmi dhe ka pasur një sistem shumë të mirë financiar, të qëndrueshëm. Sipas raportit të Bankës Qendrore, bankat vendore qëndrojnë mjaft mirë. Mirëpo të jetë Banka Qendrore pa bord, TRUST-i pa bord, sidomos TRUST-i kur ato janë para private të qytetarëve dhe punëtoreve, nuk është e falshme. Me urgjencë duhet të kompletohen bordet që të krijohet siguri. Bankat kanë shumë problem në kuptimin e sigurisë kur e dinë që s’ka bord as guvernator në Bankën Qendrore, nuk kanë kujt t’i drejtohen dhe as me kë të konsultohen”, është shprehur ai.

 

Exit mobile version