Site icon PrishtinaPress

Rafet Rama: Në 1997-ën, policia shqiptare kishte arrestuar Ramushin, Fehmiun dhe Xhevën për t’ia dorëzuar policisë serbe

Një histori të padëgjuar dhe aspak të hijshme për policinë shqiptare ka treguar Rafet Rama, i plagosur në ditën kur, para dy dekadash, u vra Luan Haradinaj.

Rama duke treguar historinë e asaj nate të 6 majit 1997 kur një grup luftetarësh kosovarë në krye me Luan Haradinajn, po hynin nga Shqipëria në Kosovë, ka nxjerrë në dritë një ngjarje që pak kush e ka ditur deri tash.

Si mysafir në Frontal të T7, Rama ka treguar se pas vrasjes së Luanit, grupi i luftëtarëve janë kthyer sërish në territorin e Shqipërisë por në atë rast janë arrestuar nga policia shqiptare.

Për më tepër organet e rendit kanë dashur që heronjtë e Kosovës, Fehmi e Xhevë Lladrovcin dhe Ramush Haradinajn, pas arrestimit t’i dorëzojnë tek policia serbe. Mirëpo, siç ka rrëfyer Rama, kanë qenë banorët e fshatrave ata që nuk kanë lejuar dorëzimin e Ramushit, Xhevës dhe Fehmiut.

“Është e dhimbshme, po të mos ishin fshatarët në atë kohë, Ramushin, Fehmiun dhe Xhevën, pushteti i asaj kohe kishte vendosur t’i kthente në Kosovë. Ky është realiteti”, ka thënë Rama.

Megjithatë banorët e fshatrave përreth kanë rrethuar komisariatin dhe kanë pamundësuar planin e policisë shqiptare.

“Popullata është çuar edhe e kanë rrethuar komisariatin e policisë dhe atëherë i kanë liruar, kanë lejuar edhe ta varrosin Luanin dhe kanë ardhur të më shohin mua në spital”, ka thënë Rama.

Exit mobile version