Letra e paralajmëruar e Milan Radoiçiqit tashmë është lexuar. Dhe në bazë të përmbajtjes, më nuk ka dyshime se ai ishte pjesë e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Në letrën e bërë publike, Radoiçiq e pranon se ishte pjesë e grupit terrorist që hynë në veri të Kosovës, duke e vrarë një polic kosovar. Tutje, avokati Petronijeviqi e ka lexuar edhe një letër të Radojiçiqit, e cila ishte e mbushur me propagandë.
“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atiji terror”.
Në letër, Radojiçiqi tenton të heq të gjitha përgjegjësitë për aksionin terrorist nga shteti serb, duke theksuar se përgatitjet logjistike i ka bërë personalisht vet ai.
“Po i njoftoj të gjithë të përndjekësit e popullit serb, që nga Kurti e deri te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit. Ky akt i imi nuk ka pasur asnjë karakter tjetër, asnjë qëllim dhe nuk ka të bëjë fare me përfshirjen time të mëparshme politike“.
Tutje, ai pretendon se nuk e ka njoftuar askënd nga shteti i Serbisë.
“Për këtë nuk kam njoftuar askënd nga strukturat qeveritare të Republikës së Serbisë, as nga strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës dhe Metohisë dhe as kam marrë ndihmë prej tyre, sepse tashmë kemi pasur qëndrime të ndryshme për të kaluarën. metodat e rezistencës ndaj terrorit të Kurtit”.
Në letrën e tij, Radojiçiqi thekson se jep dorëheqje nga funksioni i nënkryetarit të Listës Serbe.
“Edhe një herë me dhimbje theksoj se kthimi im në veri të Kosovës dhe Metohisë më 24 shtator 2023 nuk kishte të bënte me angazhimin tim të mëparshëm politik brenda Listës Serbe. Gjithashtu, me këtë po e njoftoj opinionin se po paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe”.
Kujtojmë që Milan Radoiçiqi është i dyshuar edhe për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, për frikësimin e dëshmitarëve të rastin “Brezovica” dhe është i sanksionuar nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe.