Site icon PrishtinaPress

Radoiçiq: Nuk lejojmë që veriu të udhëhiqet nga ata që fituan 1-2% të votave

Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, tha se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje.

Të dielën e 23 prillit, në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Zubin Potok – u mbajtën zgjedhjet e parakohshme lokale.

Pjesëmarrja në proces ishte e ulët – pak më shumë se 3 për qind, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zgjedhjet u bojkotuan nga Lista Serbe.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq fituan kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në Zubin Potok dhe Zveçan ata të Partisë Demokratike të Kosovës.

Përmes një deklaratë të shpërndarë për mediat, Radoiçiq tha se beson se “të gjithë e kanë kuptuar mesazhin që dha populli serb nga veriu i Kosovës”, i cili e bojkotoi në masë të madhe procesin zgjedhor.

Radoiçiq tha se i falënderon bashkatdhetarët e tij nga Leposaviqi, Zveçani, Mitrovica e Veriut dhe Zubin Potoku për “patriotizmin, dinjitetin, nderin dhe unitetin e dëshmuar”.

“Është në dorën tonë që së bashku me vendin tonë, Serbinë, dhe me presidentin Aleksandar Vuçiq ta vazhdojmë luftën për të ruajtur paqen dhe të drejtën e serbëve për të jetuar jetën e tyre”, tha Radoiçiq.

Exit mobile version