Partia Demokratike e Kosovës tashmë e ka zyrtarizuar kandidatin e vet për kryeministër.
Ai është kryetari aktual i Mitrovicës Bedri Hamza.
Kandidatura e Hamzës nga radhët e PDK-së për të parin e qeverisë, u diskutua në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Analisti politik, Gazmir Raci, tha se kjo i garanton vendin e dytë partisë së drejtuar nga Memli Krasniqi, në zgjedhjet e ardhshme.
“Ardhja e Bedrisë si kandidat për kryeministër ia garanton PDK-së qëndrimin në vendin e dytë”, tha ai në Klan Kosova.
Bedri Hamza, ka shërbyer në disa pozita në ekzekutiv dhe legjislativ.
Ai fillimisht shërbeu si zëvendëministër i Ekonomisë dhe Financave në Qeverinë e parë të drejtuar nga Hashim Thaçi.
Më pas ai u bë edhe ministër i këtij dikasteri dy herë, njëherë në Qeverinë Thaçi 2 dhe njëherë gjatë Qeverisë Haradinaj.
Hamza, për një mandat shërbeu edhe si Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës.
Po ashtu, kreu aktual i Mitrovicës ishte edhe shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.