Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, e konsideruar si një nga qytetet më të populluara, në bazë të të dhënave të dala nga regjistrimi i popullsisë ka rreth 200 mijë banorë, por vlerësohet se numri i banorëve që jetojnë në qytet është shumë më i lartë.
Jozyrtarisht thuhet se Prishtina ka mbi 400 mijë banorë, një pjesë e madhe e të cilëve kanë banime të përkohshme të tyre edhe në pjesë të tjera të Kosovës.
Sipas shënimeve zyrtare të publikuara nga administrata komunale, mendohet se gjatë ditës në Prishtinë lëvizin mbi 500 mijë qytetarë, shkruan Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të Agjencisë të Statistikave të Kosovës, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është 1.8 milion, nga të cilët mbi 600 mijë jetojnë në zonat urbane dhe mbi 1 milion në zonat rurale.
Dyndja e popullatës drejt qyteteve i ka mbipopulluar ato, duke pamundësuar shndërrimin e tyre në qytete moderne me infrastrukturë të zhvilluar.
Shpërnguljet e mëdha të popullatës nga vendet rurale në ato urbane, nisën që prej para luftës dhe qytetet, e posaçërisht Prishtina, u shndërruan në punishte me ndërtesa të shumta që ende nuk janë kryer.
Disa të ndërtuara sipas planit urban, një pjesë e madhe e tyre pa ndonjë planifikim dhe të ngritura edhe në zona ku kanë shkaktuar probleme.
Qytetarët të cilët jetojnë në lagjet e Prishtinës, ku ndërtesat e banimit pothuajse janë ngjitur njëra më tjetrën, thonë se banimi në këto ndërtesa është bërë gati i papërballueshëm.
Familja katër anëtarëshe, Kastrati, jeton në lagjen Arbëria në Prishtinë, lagje kjo e cila ka pasur fluks jashtëzakonisht të madh të ndërtimeve pas luftës, duke u zgjeruar edhe në pjesët që dikur kanë qenë të ndaluara për ndërtim.
Kryefamiljari Astriti tregon se në kohën kur ai kishte blerë banesën ishte thënë se lagja ka plan urbanistik dhe për të gjitha ndërtimet e tjera do të respektohen standardet e përcaktuara me Ligj.
“Jam një banor i një objekti që është ndërtuar pas luftës, ndër objektet e para, kur e kemi blerë banesën na është premtuar se nuk do të ketë ndërtime përreth, kemi pasur hapësirë të mjaftueshme, por kohë pas kohe filluan ndërtimet, janë afruar ndërtesat me ndërtesë, ka mbipopullim, nuk ke as privatësi kur del në ballkon shumë afër është ndërtesa tjetër”.
“Infrastrukturë nuk ka për të gjitha këto ndërtime, nuk janë ndërtuar sipas planit urbanistik, nuk e di si është lejuar që të bëhen të gjitha këto ndërtime të egra. Tani ne si qytetarë, banorë të kësaj ndërtese jemi në një situatë se nuk dimë se çfarë të bëjmë”, thotë ai.
Valbona një qytetare tjetër nga Prishtina, ka pothuajse të njëjtin rrëfim me Astritin. Ajo tregon për problemet që ata kanë nga mbipopullimi i lagjes ku ajo jeton.
“Pas luftës ka pasur ndërtime të mëdha në Prishtinë. Ka disa vite që jetoj në një banesë në një lagje në Prishtinë që nuk dua ta ceki. Në fillim gjithçka ka qenë ne rregull, por me kalim të kohës është mbipopulluar ajo lagje, objekti prej objektit është shumë afër të cenohet e privatësia”, shprehet ajo.
Mbipopullimi i qyteteve, posaçërisht i Prishtinës, thuhet të jetë bërë për shkak të mundësive më të mëdha që ofron qyteti, qoftë në fushën e arsimit, të kulturës, të punësimit dhe të zhvillimit përgjithësisht.
Dyndja drejt Prishtinës, u bë edhe për faktin se qyteti është kryeqendër administrative e Kosovës dhe njëkohësisht edhe vendi i politikës e diplomacisë.
Kosova sot, sipas studimeve të bëra ka dendësi dy herë më të madhe se mesatarja e vendeve në rajon dhe deri në tri herë më shumë se vendet tjera.
Përderisa në vitin 1948, në 1 kilometër katror jetonin 63.3 banorë, në vitin 1991 ku numër u rrit në rreth 180 banorë. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, i cili u bë në vitin 2011, në një kilometër katror në Kosovë jetojnë 177.4 banorë.
Ndërkohë, ndërtimet në qytet, për të akomoduar banorët e shumtë, kanë krijuar kaos duke mbyllur edhe perspektivën e zhvillimit të qytetit në një metropol.
Kryetari i shoqatës së ndërtimtarëve të Kosovës, Brahim Selimaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se faktori kryesorë për këtë kaos të krijuar në Prishtinë janë autoritetet kompetente. Prishtina thotë ai, pas luftës u ndërtua pa standarde të ndërtimit dhe me mungesë të një plan zhvillimor për numrin e banorëve.
“Prishtina është katandisur prej ndërtimeve të cilat nuk lejojnë urbanizmin e asaj që duhet të jetë sipas standardeve, por që duhet të fillohet të dilet nga kjo situatë, të mos bëhen ngarkesa tjera. Duhet të fillohet të ndërtohet në periferi të Prishtinës në mënyrë që të shkarkohet qyteti”, thotë Selimaj.
Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Komunës së Prishtinës nuk i janë përgjigjur pyetjeve lidhur me problematikat që ka kryeqyteti nga mbipopullimii qytetit.
Dendësia e popullsisë në zonat urbane, sipas njohësve të çështjeve demografike, krijoi probleme të mëdha në fusha të ndryshme. Ka pasur ngarkesa në komunikacion, shkollat janë mbipopulluar dhe në shumë aspekte tjera.
Profesori Rifat Blaku, demograf, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë flet për një infrastrukturë të rëndë në Prishtinë.
“Prishtina nuk ka qenë e gatshme t’i pranojë të gjithë këta banorë të cilët në mënyrë të pakontrolluar dhe stihike ia mësyn Prishtinës. Prishtina është ngufatur nga migrimi nga fshati në qytet. Shpërngulja ka qenë me ritme të mëdha dhe ka lënë pasoja. Objekti objektit ja pengon dritën, infrastruktura në përgjithësi është rëndë është një shëmtim dhe kjo është me pasoja të mëdha edhe për të ardhmen”, thotë Blaku, duke shtuar se korrigjimi i infrastrukturës në disa pjesë të kryeqytetit është i pamundur.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës vetëm vitin e kaluar janë shënuar rreth 9 mijë raste të lëvizjeve të brendshme të popullsisë, nga një komunë në tjetrën.
Kjo zhvendosje, sipas ekspertëve, ka ndodhur me vetë vullnetin e qytetarëve, në kërkim të një jete më të mirë. /REL/