1.1 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Qytetet e mbipopulluara – shkollat punojnë edhe në tri ndërrime

Lëvizjet e qytetarëve të Kosovës drejt qyteteve të mëdha kanë ngarkuar, veç tjerash, edhe sistemin e arsimit duke i detyruar shkollat që të punojnë madje edhe në tre ndërrime, me një numër të madh të nxënësve në paralele.
Në nivelin e arsimit fillor, të mesëm të ulët, që përfshinë arsimin e obliguar 9-të vjeçar, në mbarë Kosovën, sipas të dhënave zyrtare, mësimin e ndjekin rreth 260 mijë nxënës, nga të cilët një numër i madh vetëm në Prishtinë, mbi 30 mijë.
Sipas shënimeve zyrtare, Prishtina ka aktualisht mbi 220 mijë banorë, por jozyrtarisht thuhet se ajo ka 400 mijë, ndërkohë që vetëm brenda ditës në Prishtinë lëvizin mbi 500 mijë qytetarë.
Dendësia e popullsisë në zonat urbane, sipas njohësve të çështjeve demografike, krijoi probleme të mëdha në fusha të ndryshme.
Ka pasur ngarkesa në komunikacion, shkollat janë mbingarkuar dhe në shumë aspekte tjera është pamundësuar zhvillimi modern i qytetit.
Problemi themelor i dyndjes së qytetarëve drejt qyteteve ka krijuar mbingarkesën e shkollave dhe kjo problematikë është më e theksuar në shkollat fillore në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.
Në shumicën e shkollave procesi mësimor zhvillohet në dy ndërrime, megjithëse ka edhe shkolla në kryeqendër ku nxënësit vijojnë mësimin edhe në tre ndërrime.
Një prej tyre është shkolla fillore “Elena Gjika” dhe drejtori i saj, Osman Vitia, i tha Radios Evropa e Lirë se numri i nxënësve në këtë shkollë ka arritur mbi 1800 duke i ngarkuar paralelet me më shumë se 36 nxënës.
“Në kryeqytet është e vetmja shkollë që punon në tre ndërrime në një objekt që e ka e një moshë 90 vjeçare një objekt i stilit austro-hungarez që është në mbrojtje të UNESCO-s dhe kjo na ka bërë që në shkollë nuk kemi mundësi zgjerimi apo shtimit të ndonjë aneksi pasi që e kemi edhe hapësirën shumë të kufizuar dhe për momentin punojmë në tre ndërrime”, thekson Vitia.
Për shkak të ngarkesës së madhe dhe numrit të madh të nxënësve, shkolla është detyruar të mbajë mësimin në tre ndërrime dhe çdo orë mësimore është shkurtuar nga 45 në 40 minuta.
Drejtori i shkollës thotë se “numri i madh i nxënësve nëpër paralele pamundëson zbatimin e metodologjisë së punës”.
“Shkollës i mungojnë kabinetet që mësimi teorik të zbatohet në praktikë. Për shkak të hapësirës kemi vetëm një kabinet të informatikës dhe sallën e sporteve në lëndët tjera mësimi zhvillohen sipas standardeve të vjetruara”, thekson Vitia.
Për mësimdhënësit, numri i madh i nxënësve paraqet problem në mbajtjen e mësimit dhe menaxhimin e orës.
“Shihet se është numër i madh i nxënësve. Janë 35 nxënës në disa klasa numri është edhe më i madh. Ne po mundohemi që të mbajmë sa më mirë orën e mësimit. Në klasë çdo herë arsimtari duhet të jetë aktiv, duhet t’i shtyjmë nxënësit të bëjnë aktivitetet. Është vështirë menaxhimi i një klase më 35 nxënës e më shumë”, thotë Shpresa Maqastena.
Edhe për nxënësit mbingarkesa në klasa parqet një problem të madh.
Pajazit Delijaj, nxënës i klasës së nëntë, thotë se në shumë raste nuk arrijnë ta dëgjojnë arsimtarin duke shpjeguar.
“Nuk është aspak e lehtë të mbahet mësimi në një klasë ku numri i nxënëseve është shumë i madh. Por, ne mundohemi që të arrijmë që të mësojmë sa më mirë”, thotë ai.
Një draft dokument i komunës së Prishtinës tregon se nxënësit e shkollave publike në Kosovë kalojnë më pak se 20 orë në shkollë që është pak krahasuar me vendet e tjera evropiane, ku nxënësit i kalojnë deri në 40 orë duke mësuar në shkollë.
Kjo, gjendje sipas komunës së Prishtinës është e tillë ngaqë nuk ka mjaft hapësira shkollore për të gjithë nxënësit, sidomos nëpër zonat urbane, në mënyrë që të gjithë të qëndrojnë në shkollë gjatë tërë ditës.
Në këtë dokument thuhet se nxënësit e Kosovës kanë më pak mundësi të zhvillojnë aftësitë dhe dituritë e bashkëmoshatarëve të tyre në rajon e Bashkim Evropian.
Ardiana Islami, zyrtare e lartë e arsimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo mbingarkesë e nxënëseve dhe mbajtja e mësimit në dy ndërrime do të jetë e tillë edhe për shumë vite.
“Në përgjithësi jemi duke punuar në këtë drejtim për të eliminuar mbingarkesat që janë në shkolla. Po ashtu jemi duke u mundur edhe në përfshirjen e shkollave në mësim tërë ditorë, por përderisa nuk ndërtohen shkolla të reja gjendja do të jetë e tilla. Në disa shkolla ku ka mundësi do të ndërtojmë ndonjë ankesë, por për momentin jemi në këtë gjendje”, thotë Islami.
Ngarkesa në shkolla megjithatë është cilësuar, nga njohës të mirë të rrethanave të arsimit, në kundërshtim me të gjitha përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë.
Udhëheqësi i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, Halim Hyseni, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të ketë reforma që prodhojnë ndryshime pozitive nëse në paralele rritet numri i nxënësve dhe nëse në shkolla punohet në dy apo tre ndërrime.
“Puna në paralele më numër të madh të nxënëse dhe në shkolla në të cilat punohet në dy e tre ndërrime janë në kundërshtim të plotë me përpjekjet dhe kriteret për të arritur dhe transformuar shkollat dhe institucionet arsimore në shkolla të shekullit 21” , thekson Hyseni, duke shtuar se të gjitha këto ndikojnë tek cilësia në arsim dhe mospërgatitja e fëmijëve.
Në sistemin arsimor fillor, thotë Hyseni problemi më i madh është në atë se mungojnë standardet e përcaktuara të cilat garantojnë cilësi.
“Çdo numër i nxënëseve në paralele që është më shumë se 25 dëmton cilësinë e punës, sepse mësimdhënësi nuk mund të ofrojë informacione të mjaftueshme që nxënësit të mësojnë”, thotë Hyseni.
Për të diskutuar rreth çështjes së cilësisë së arsimit në shkolla, Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar zyrtarë të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, por me këta të fundit kontakti ka qenë i pamundur.
Në hulumtimet e bëra për çështjen e arsimit në Kosovë nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, ishte vlerësuar se cilësia e arsimit në Kosovë nuk ishte në nivelin e duhur sado që, vlerësohet, se autoritetet nuk kanë bërë ende një vlerësim të gjendjes së përgjithshme në arsimin e vendit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img