Zyra për Rregullatorin e Energjisë në mbledhjen e sotme do të marrë vendim për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike për afro 15%.
Kjo gjë ka qenë edhe temë diskutimi e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.
Në ktë Komision, ZRrE ka raportuar për kërkesën e saj për rritje të tarifave duke thënë se në këtë gjë ka ndikuar kostoja e importit.
“Në rritjen e tarifave ka ndikuar kosto e importit e cila është më e lartë se që është parashikuar. Menaxhimi i krizës i takon Ministrisë së Ekonomisë. Operatorët tjerë bashkë me rregullatorin janë pjesë e komitetit dhe ne do ta ofrojmë gatishmërinë tonë në menaxhimin e krizave”, deklaroi kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu.
Ndërkohë, qytetarët janë shprehur të pakënaqur për këtë vendim.
Sipas tyre, mjaftueshëm janë rrogat e vogla për t’i bërë të papërballueshme edhe faturat e fryera.
“Çka me thanë. S’kanë gjinja pare, s’ka kurgja. Me pension 200 euro çka me pagu” tha një qytetar i Prishtinës.
“Le të shtrajtojnë sa të dojnë. Unë jam në pension, veç me qat pension unë mbijetoj” tha një tjetër.