Site icon PrishtinaPress

Qytetarët të shqetësuar për ajrin e ndotur në Prishtinë

Në komunën e Prishtinës tash e sa ditë qytetarët po përballen me erë të rëndë dhe tym. Ajri i ndotur i cili po ndodhë si shkak i një përzierje të tymit, pluhurit dhe hirit, ka edhe një erë të rëndë, i cili po ua ngacmon frymëmarrjen qytetarëve.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se në sezonin e dimrit, qyteti i Prishtinës po zhytet në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosolë, i cili vërehet gjithandej. Ndërsa, efektet afatshkurta të aero-ndotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyra, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit

Shqetësime të mëdha kanë qytetarët e kësaj komune sipas të cilëve, ajri i ndotur po e vështirëson frymëmarrjen, po e rrit numrin e të sëmurëve nëpër qendra klinike dhe po i detyron qytetarët të qëndrojnë të mbyllur në banesat e tyre.

Ilaz Selmani thotë për KP, se arsyeja e ndotjes së ajrit në Prishtinë është mos-siguria e hyrjes në kryeqytet. Sipas tij, banorët nga të gjitha fshatrat po vinë në Prishtinë dhe si pasojë e kësaj po rritet numri i veturave dhe po bëhet komunikacioni akoma më i dendur. E për këtë dukuri, Selmani fajtor kryesor e sheh Qeverinë e Kosovës.

“Mas pari me pas një siguri për hyrjen e qytetit, se tash ingjizone Prishtina është qekjo, se kanë ardh prej krejt fshatrave në qytet edhe komunikacioni është aq i dendur, aq i ndotur, që edhe organet e lënë me qëllim me ndot Prishtinën, po mendoj qeveritarët tonë, se nuk po i shkohet në fshatra asnjërit, kështu që qytet më i ndotur se Prishtina edhe po flitet”, tha Selmani.

E Shuqri Nici, akuzon kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin për këtë gjendje alarmante të ajrit të ndotur në kryeqytet. Sipas tij, veturat janë rreziku më i madh që po shkatërrojnë ajrin dhe po ndikojnë në sëmundjen e shumë qytetarëve.

“Mundet me i pas fajet sidomos veturat jashtëzakonisht tepër po e ndotin ajrin, qe sot është kënaqësi me hec për shkak se nuk ka vetura shumë, po kryetari i komunës pak duhet, qysh ka premtuar nuk e realizoj 6-7 vjet kurgjo, nuk ka punu, nuk ka investu dikun në kapital me i punsu të rinjtë, me kçyre me i veneru ku ka me mbjell diçka…Munden me u sëmur ata që janë me “behane” i thonë, prej mushkrive, brohnitizit, asmes kjo ndikon jashtëzakonisht shumë”, tha Nici.

Të njëjtin shqetësim ka edhe qytetari Gjergj Lekaj, i cili thotë se ka kohë të gjatë që ajri në Prishtinë është çrregulluar, e sipas tij, të gjitha këto vijnë si rezultat i numrit të madhe të makinave dhe lëndës djegëse. Sipas Lekaj, fajtori më i madh për ajrin e ndotur është vet shoqëria e cila nuk ndërmerr diçka, por gjithmonë qëndron duke pritur.

“Fajin e kanë shumë, ka kohë të gjatë që ka filluar me u çrregullu ajri, mendoj që tash me qenë se industri nuk kemi me përjashtim të KEK-ut termoelektranave, kryesisht ndotësit kryesor janë automobilat, natyrisht edhe lënda djegëse që shfrytëzohet në qytet, akumulimi në qendra, prandaj është akumulu dhe më shumë në qytete se sa në zona rurale. Fajtor është në përgjithësi shoqëria që nuk ndërmerr kugjo por pret prej qielli me ardh diçka…I rrezikshëm është shumë natyrisht e tregon gjendja nëpër qendra klinike universitare, nëpër spitale tjera e shef numri i sëmundjeve t’u u rrit çdo ditë, kështu që është i rrezikshëm çdo ditë, edhe më i rrezikshëm është për shkak se nuk ndërmerret asgjë për me ndryshu gjendja”, u shpreh Lekaj.

Bajram Fejzullahu tregon për KosovaPress se ka tri ditë që nuk ka dalur nga banesa e tij, e krejt kjo për shkak të ajrit të ndotur e pastaj mjegullës. Fejzullahu tregon se vuan nga sëmundja e astmës dhe këtë sëmundje po ia vështirëson akoma më shumë ajri i ndotur.

“Po duhet me ndez diçka me u nxeh dimrit…Rrezik është mjaft po duhet me u ruajte se unë nuk kam guxuar me dal që tre ditë se mjegull dhe jam prej astmës pak rrezik e po duhet me u ruajte, çka kem me bo, çka vjen pre Zotit mirë se vjen, këtë populli se donë, se bën kurrkush me kastile me thanë për inati te këtyre pe boj po e dhezi këta, po e dhezi ata nuk është ajo”, thotë Fejzullahu.

Ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë dhe alarmojnë se nëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese.

Exit mobile version