Site icon PrishtinaPress

“Qytetarët paguajnë çmimin e Qeverisë së korruptuar për vizat”

“Imazhi i Qeverisë së Kosovës, në perspektivën globale, nuk është pozitiv.

Është një qeveri e kriminalizuar, një shtet i korruptuar që nuk është në gjendje të trajtojë çështje serioze të sundimit të ligjit”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Robert Austin, profesor në Qendrën për Studime Evropiane, Ruse dhe Euro-aziatike, Universiteti i Torontos.

Radio Evropa e Lirë: Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, po hyjnë në fazën finale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Dy palët synojnë të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. A prisni që kjo marrëveshje të rezultojë me njohje të dyanshme?

Robert Austin: Jam optimist për atë që pritet të ndodhë në muajt e ardhshëm. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka bërë të qartë se dëshiron të arrijë diçka në këtë drejtim. Sfida më e madhe është kah pala kosovare. Kush në Kosovë është i zoti të bëjë marrëveshje historike? Kosova ka bërë shumë kompromise në dekadën e fundit dhe, në muajt e ardhshëm, mund të ketë kompromise të reja dhe përfitime të tjera për serbët në veri të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë kompromisesh mund të prodhojë marrëveshja?

Robert Austin: Nuk mendoj se dikush nga komuniteti ndërkombëtar, sidomos Bashkimi Evropian, që po e ndërmjetëson dialogun, dhe Shtetet e Bashkuara që nuk po luajnë shumë rol, do që të shohë ndonjë zgjidhje territoriale të problemeve etnike. Por, qartazi, negociatat e dekadës së fundit mbi fatin e pakicës serbe në Kosovë u kanë dhënë përparësi atyre. Mund të them se njohja do të tregtohet me më shumë avantazhe për ta.

Radio Evropa e Lirë: Politikanët kosovarë janë të ndarë. Opozita atje nuk dëshiron që dialogu të udhëhiqet nga presidenti Hashim Thaçi. Një pjesë e opozitës e kundërshton edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Çfarë do t’i këshillonit politikanët kosovarë?

Robert Austin: Çdo qeveri në Kosovë duhet të pranojë se marrëveshjet e kaluara, si ajo e Brukselit, ajo për fusnotën, e kanë nxjerrë atë si palë humbëse. Këto marrëveshje nuk kanë qenë të parapara me Planin e Ahtisaarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës. Negociatorët e Kosovës, në fakt Qeveria e Kosovës nuk ka kredibilitet ndërkombëtar. Ata nuk janë njerëzit e duhur për negociata dhe kjo është sfidë për Kosovën. Pra, këshilla ime është: ju duhen negociatorë më të mirë dhe ju duhet të mendoni për sovranitetin e Kosovës në afat më të gjatë dhe të ndaloni të bëni marrëveshje që minojnë sovranitetin e vendit.

Radio Evropa e Lirë: Por, në anën tjetër, Serbia aktualisht balancon midis Rusisë dhe Perëndimit. A do t’i duhet asaj një ditë të zgjedhë njërën rrugë?

Robert Austin: Mendoj se faktori rus është mbivlerësuar. Kur shihni Rusinë, çfarë ka ajo? Praktikisht asgjë, përveç naftë të lirë dhe gaz të lirë. Mendoj se e ardhmja e Serbisë qëndron në Bashkimin Evropian. Kjo reflekton edhe opinionin publik serb.

Radio Evropa e Lirë: Por, këtë javë, media greke raportoi për dëbimin e disa diplomatëve rusë nga Greqia nën dyshimet se kanë bërë përpjekje të minojnë marrëveshjen për emrin midis Athinës dhe Shkupit…

Robert Austin: Shikoni, e ardhmja është shumë e mjegulluar tani; edhe Bashkimi Evropian përballet me shumë sfida. Por, unë jam ai optimist që beson se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Nuk ka plan B, ka vetëm të ardhme evropiane brenda Bashkimit Evropian, nuk ka alternativë tjetër për shtetet e Ballkanit. Është ende proces i gjatë, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin. Unë nuk e fajësoj BE-në për këtë. Shoh që vendet e Ballkanit thonë se i takon Evropës të na evropianizojë. Në Ballkan, reforma serioze kanë dështuar. I fajësoj qeveritë në Beograd, Tiranë, Prishtinë, Podgoricë, Sarajevë, Shkup për ngadalësimin e procesit. Është koha që vendet e Ballkanit të tregojnë se janë të përkushtuara.

Radio Evropa e Lirë: Në kontekstin e proceseve të integrimit, liria e lëvizjes është një element i rëndësishëm, por vetëm Kosova aktualisht është lënë jashtë procesit të liberalizimit të vizave. A mendoni se Bashkimi Evropian do t’i heqë vizat për Kosovën deri në fund të këtij viti?

Robert Austin: Për befasinë time, jam optimist për liberalizimin e vizave për Kosovën, por, prapëseprapë, topi është te Qeveria e Kosovës. Për fat të keq, qytetarët e rëndomtë të Kosovës paguajnë çmimin që kanë një qeveri, e cila gjerësisht perceptohet si qeveri e kriminalizuar ose e paaftë. Andaj, procesi është zhargitur. Për më tepër, përse procesi i liberalizimit të vizave është lidhur me disa çështje që nuk kanë të bëjnë me të, si për shembull ajo e kufirit me Malin e Zi. Qeveria e Kosovës ka reputacion të keq që u ka bërë dëm të madh qytetarëve të Kosovës dhe procesit të liberalizimit të vizave.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mendoni konkretisht kur thoni këtë për Qeverinë e Kosovës?

Robert Austin: Mendoj se imazhi i Qeverisë së Kosovës, në perspektivën globale, nuk është pozitiv. Është një qeveri e kriminalizuar, një shtet i korruptuar që nuk është në gjendje të trajtojë çështje serioze të sundimit të ligjit. Por, kjo nuk vlen vetëm për Kosovën, janë edhe vende të tjera të Ballkanit për të cilat mund të thuhet e njëjta gjë. Por, Kosova paguan çmimin më të lartë, në kuptimin që nuk ka ende liberalizim vizash.

Exit mobile version