Site icon PrishtinaPress

Qytetarët nuk presin rezultate nga takimi Kurti-Vuçiq, s’e duan Asociacionin

Qytetarët e Prishtinës nuk janë optimistë se mund të arrihet ndonjë marrëveshje nga takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Madje sa përket dakordimit për të zhdukurit, qytetarët nuk besojnë që Serbia do të bashkëpunoj në këtë fushë.

Ata po ashtu kanë thënë se shpresojnë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos pranohet nga pala kosovare, pasi sipas tyre, serbet në Kosovë kanë të drejta më shumë se shqiptarët.

Ferat Imeri, tha se asnjëherë nuk kanë pritur që Serbia do të bashkëpunoj dhe se nuk presin as tash.

Sipas tij, ata gjithmonë kanë përdorur taktikën e mashtrimit, të gënjeshtrave dhe të tradhtisë, duke e bërë gjithmonë Kosovën fajtore.

Ai tha se Asociacioni nuk duhet të pranohet assesi, pasi sipas tij, serbët e Kosovës kanë më shumë kompetenca në vende se sa vetë shqiptarët.

“As një herë nuk kemi pritur mirë nga Serbi dhe as sot nuk presim mirë prej saj, shkurt e shqip. Çdo herë kanë përdorur taktiken e mashtrimit, të gënjeshtrave, dhe të tradhtisë, andaj edhe sot ka po të njëjtat metodat që do ti përdor Vuqiçi për të na lënë fajtor neve që jemi të pa fajshëm”.

“Absolutisht ajo nuk mund të vije në shprehje ajo është një ri okupim sa herë na riokupuar e okupuar, kjo kishte me qenë edhe një herë edhe një mashtrim. Nuk duhet ta pranoj kurrsesi, po ku ka në botë kompetenca më të mëdha se sa i kanë serbët në Kosovë, në krejt rruzullin tokësor një pakicë që nuk është as në tre për qind e popullatës t’i ketë ato kompetenca më të mëdha se vetë populli shqiptar”, tha ai.

Skender Bajrami, tha se nuk beson që shteti serb do të bashkëpunoj për personat e zhdukur, ai madje shpreson që Asociacioni të mospranohet.

Ai tha se shpreson që t’i ndihmojë Zoti kryeministrit Kurti në këtë përballje me Serbinë.

“Serbia nuk do të punojë për të zhdukurit, Serbia dihet që është vend gjenocidial, në Slloveni, Kroaci e Bosnje e Kosovë. Gjenocidi është ai që takohet me kryeministrin, ai ka qenë dora e sigurimit të Sheshelit. Nuk do të ketë bashkëpunim. Ishalla nuk pranohet se mu pranua, ky vendi dihet është i gjithë atyre që banojë këtu si shqiptarëve si serbëve”.

“Ata e kanë humbur Kosovën një herë e përgjithmonë, Ishalla na ndihmon Zoti, ShBA e BE, se BE-ja luan me dy karta, po Ishalla i ndihmon Zoti kryeministrit”, tha ai.

Edhe një qytetarë tjetër tha se nuk pret asgjë nga ky takim, pasi sipas tij, qe 23 vjet janë duke pritur që të përfundohen këto çështje.

“Krejt e di aty ku është puna, unë kam punuar në Trepçë si minator. Kemi mbajtur shpresë që po kryejnë punë, që 23 vite nuk kanë kryer punë hiq. Unë jam ftohur kogja fort”.

“Për me përfunduar punë ne të partë ja kemi filluar minatorët, unë nuk pres kurrgjë shpresoj që të jashtit të na ndihmojnë se tjetër kush jo”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim temë qendrore pritet të jetë draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Po ashtu vend të rëndësishëm do të ketë edhe tema e fatit të të pagjeturve./PrishtinaPress/

 

Exit mobile version