Site icon PrishtinaPress

Qytetarët e Prizrenit protestojnë para gjykatës, kërkojnë dënimin e të akuzuarit për krime lufte në Krushë të Vogël

Sot në Gjykatën Themelore në Prizren, pritet të mbahet fjala përfundimtare në rastin e të akuzuarit për krime lufte, Darko Tasiq.

Ai po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka kryer krime lufte kundër popullatës civile të fshatit Krushë e Vogël.

Lidhur me këtë rast, qytetarët e Prizrenit po protestojnë para gjykatës së lartpërmendur, duke kërkuar dënimin e të akuzuarit Tasiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ku janë bijtë tanë?”, “113 të vrarë, 145 fëmijë jetim, 68 ende të zhdukur”, “Duam drejtësi”, janë vetëm disa nga fjalët e shkruara në pankartat që protestuesit po mbajnë në duar.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së PSRK-së, me të cilën i akuzuari Darko Tasiq, akuzohet se gjatë muajit mars 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të fshatit Krushë e Vogël, të Komunës së Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.

Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv. /BetimipërDrejtësi/

Exit mobile version