Afro 2 mijë qytetarë të Komunës së Deçanit, që nga e diela janë duke u përballur me simptoma të helmimit, e që dyshohej se kanë ardhur nga uji i pijes.
Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj pak minuta më parë ka bërë një postim në Facebook ku ka shkruar se “Po merr fund “misteri”, populli nuk ja huq kurrë”.
I kontaktuar nga Telegrafi dhe i pyetur se ky postim a ka të bëjë që qytetarët janë helmuar nga uji i pijes, Ramosaj është përgjigjur shkurtë “saktë, informacionet bëhen publike në orën 16:00”.
Telegrafi mëson se analizat e tjera të ujit që janë kryer, kanë rezultuar se uji ka qenë me baktere.
Ndryshe përmes një komunikate për medie, KRU “Hidrodrini”, ka bërë të ditur se të gjitha rezultatet e analizave që kanë dalur nga IKSHPK-ja tregojnë se helmimi nuk ka ardhur nga uji.
Në 24 orët e fundit kanë marrë shërbime mbi 250 banorë të kësaj komune që ka shpallur gjendjen emergjente, ndërkohë që gjendja e tyre është stabile. /Telegrafi/