Site icon PrishtinaPress

Quni: Vendimi për formimin e ushtrisë, i njëanshëm

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni ka thënë se vendimi për krijimin e ushtrisë së Kosovës është i njëanshëm.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka theksuar se për këtë çështje është dashur të bisedohet edhe me partnerët ndërkombëtarë, duke iu referuar NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Është e kuptueshme sepse vendimi është i njëanshëm dhe nuk ka arsye përderisa ne me ta që nga mbarimi i luftës, që nga transformimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupa Mbrojtëse të Kosovës, pastaj në Forca të Sigurisë së Kosovës të gjitha këto i kemi bërë në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in, me NATO-n, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet programeve të ndryshme pse mos të vazhdojmë këtë praktikë të mirë edhe në ardhmen”, ka thënë ai.

Quni për Ekonomia Online ka folur edhe për atë se çfarë pret nga Qeveria për këtë projektligj, madje ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është dashur të shuhet fare.

“Nëse ne flasim në këtë kuptim ne jemi të vonuar me vite të tëra që një dekadë e gjysmë. Nëse e elaborojmë edhe më gjerë nuk ka pasur nevojë fare që të shuhet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kemi mundur që atëherë të kemi një vazhdimësi që menjëherë pas tërheqjes së forcave serbe nga territori i Kosovës ne ti kemi kapacitetet ushtarake”, ka shtuar Quni.

Ish-komandanti i UÇK-së që tashmë është edhe anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka theksuar se pavarësisht që institucionet e Kosovës duhet të kenë prioritet ngritjen e të gjitha mekanizmave të sigurisë dhe të merren parasysh të gjitha sugjerimet dhe këshillat e partnerëve ndërkombëtarë.

Ai ka konsideruar se nuk është e kuptimtë që të krijohet Ushtria e Kosovës nëse në një të ardhme të afërt do të jemi të izoluar dhe pa përkrahjen e partnereve strategjikë.

“Atëherë do të ketë vështirësi të mëdha. Nuk ka kuptim që të krijojmë Ushtrinë e Kosovës nëse ne në të ardhmen do të jemi të izoluar dhe pa përkrahjen e partnerëve tonë strategjikë”, ka pohuar ai.

Exit mobile version