Site icon PrishtinaPress

Quni pyet Kurtin: Pse hyn në beteja me qëllim për t’i humbur?

Deputeti i LDK-së, Anton Quni ka folur për situatën në veri të Kosovës, konkretisht kidnapimin e tre zyrtarëve policorë nga forcat serbe.

Quni gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës ka thënë se akti i kidnapimit/arrestimit të zyrtarëve policorë është akt agresioni.

Sipas tij, kjo çështje ka shkaktuar aq shumë debate, analiza dhe diskutime në opinion sa që policët e kidnapuar janë shpallur dhe tradhtarë.

“Arrestimi i tre zyrtareve të policisë nga njësiti për kontrollin e kufirit ishte akt agresioni nga Serbia dhe normalisht që ka shkaktuar debate të ndryshme. Debate, analiza dhe diskutime ku në disa raste shkohet aq larg, sa që në diskutime ata linçohen dhe shpallen tradhtarë. Nga cilësimet e tilla jo vetëm që fajësimet janë në adresë të gabuar, por shfajësohen përgjegjësit duke i linçuar të pafajshëm, siç janë Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Mustafë Sheha”, tha deputeti i LDK-së.

Po ashtu Quni shtroi një çështje duke pyetur se si është e mundur që Qeveria e Kosovës duke e ditur tensionimin e situatës në atë zonë nuk e ka ndryshuar rutinën ditore të patrullës policore në kufijtë Kosovë-Serbi.

“Njësitet kufitare veprojnë në grupe të vogla, janë të armatosur lehtë, me mjete të rëndomta transporti, etj. Janë të ridizajnuar për të ndaluar kontrabandimin me mallra dhe njerëz. Për këto veprime supozohet që policët të jenë me shëndet të mirë dhe të përgatitur. Policët kufitar mund të përballen me grupe të vogla kriminale, por assesi me ushtarakë dhe forca elitare.

Si është e mundur që me një situatë me rrezikshmëri të lartë, me tensione, rezistencën e një pjese të komunitetit serb, dhunën e grupeve kriminale, prezencën e ushtrisë në kufi të veprohet me të njëjtat rutina ditore, me të njëjtit zyrtarë e të njëjtat mjete? “, pyeti ai.

Gjithashtu deputeti i LDK-së pyeti se nëse e ka ditur apo jo kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë situatë.

“A e ka ditur kryeministri këtë situatë? Ai ishte i njoftuar nga Sveçla për këtë gjendje? E, nëse e ka dit përgjegjësia bie mbi kryeministrinë. Dhe kjo d.m.th që kryeministri i ka viktimizuar. Dhe shtrohet pyetja: për cilat qëllime politike e ka bërë? E, nëse kryeministri nuk ka pas njohuri, atëherë duhet të kërkojë llogari nga ministri i MBP-së dhe zinxhiri komandues”, potencoi ai.

Quni po ashtu theksoi se kryeministri Kurti iu ka borxh një shpjegim, policëve të arrestuar, familjarëve të tyre, partnerëve ndërkombëtarë, por edhe deputetëve.

“Pse e ka humbur orientimin në kohë dhe hapësirë? Pse hyn në beteja me qëllim për t’i humbur”, ka pyetur ndër të tjera deputeti Quni.

Exit mobile version