1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Qosja, për ditëlindjen e 80-të të Ramiz Kelmendit

Ky tekst është botuar në revistën Metafora në vitin 2011-të, kur tanimë i ndjeri Ramiz Kelmendi shënonte ditëlindjen e 80-të.

( Sot shënojmë një 80-vjetor shumë të rëndësishëm.
Është ky 80- vjetori i një figure emblematike të letërsisë dhe të jetës sonë kulturore e shoqërore.
Është ky 80 – vjetori i Ramiz Kelmendit.
Si të mos jetë kaq i rëndësishëm ky 80-vjetor?

Përjetimi i emnesave historike

Ta fillosh jetën në vitin1930, në Mbretërinë e Jugosllavisë, në të cilën nuk kishte shkollë shqipe dhe në të cilën ishte tepër rëndë të ishe shqiptar, ta fillosh jetën në atë shtet e ta mbërrish i gjallë, i çmuar dhe, ja, i festuar, 80 – vjetorin, duke përjetuar, në fillime si fëmijë e pastaj si pjesëmarrës a dëshmitar, vëzhgues e më së gjati si gazetar e shkrimtar ngjarje të mëdha, historike, që do të shkaktojnë cila tragjedi, cila dhembje, cila shpresë e cila gëzime në jetën e popullit tënd, siç ishin: Lufta e Dytë Botërore, bashkimi i një pjese të Kosovës dhe i tokave të tjera etnike me Shqipërinë, të shkoqura dhunshëm prej saj në Kongresin e Berlinit e, sidomos, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, terrori në fillim i OZN-ës e pastaj i UDB-së, mandej aksioni i ashtuquajtur i mbledhjes së armëve, shpërngulja masive e bashkëkombasve në Turqi, përndjekjet dhe burgosjet e të mospajtuarve me regjimin dhe me pushtimin e Kosovës, Plenumi i Brioneve, Konsulta gjuhësore e Prishtinës, Demonstratat e vitit 1968, Demonstratat e rinisë studentore e shkollore në vitin 1981, terrori i shtuar shtetëror i Serbisë me gjendje të jashtëzakonshme, me ekspedita ndëshkimore nëpër fshatra, me përndjekje, biseda të ashtuquajtura informative, burgosje, vrasje, mandej rënia e komunizmit, formim i partive të para shqiptare, disa prej të cilave do të regjistrohen në Ministrinë e Drejtësisë në Beograd e disa do të kalojnë në ilegalitet, formimi i UÇK-së dhe Lufta e saj çlirimtare, Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, Fushata e bombardimeve mbi objektet ushtarake të Jugosllavisë së mbetur në Kosovë, në Serbi e në Mal të Zi, zhvendosja e më tepër se gjysmës së popullit shqiptar prej Kosovës e pastaj kthimi i tij në Kosovë, vendosja e forcave ndërkombëtare të udhëhequra prej NATO-se dhe e administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe, më në fund, shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 – t’i përjetosh të gjitha këto ngjarje të mëdha historike, që do të përcaktojnë fatin e popullit tënd, duke qenë, në pjesën më të madhe të kohës, gazetar dhe shkrimtar a edhe edukues i brezave të rinj, e, kjo nuk ishte e lehtë – kjo ishte shumë për një jetë njerëzore.

T’i përjetosh të gjitha këto emnesa që lëviznin historinë tonë me kujtimet për to, me ndikimin e tyre në shpirt; t’i përjetosh të gjitha këto e t’i arrish 80 vjet, kjo është vetvetiu një meritë e madhe. E dhuruar prej natyrës. Dhe e dhuruar prej fatit. Por, t’i përjetosh të gjitha këto si gazetar e shkrimtar e t’i shkruash ato vepra që ka shkruar Ramiz Kelmendi,kjo është meritë edhe më e madhe.
Të them me këtë rast se veprat letrare, qoftë edhe të njëjtit shkrimtar, nuk lexohen njësoj në çdo kohë, prandaj edhe nuk përvetësohen as me ndjenjë, as me kuptim njësoj.

Trajta të reja artistike

Duke i lexuar pas aq kohësh disa nga veprat e Ramiz Kelmendit – tregime, novela, romane, lojëra skenike, skeçe, monologë, letra, reportazhe, shkrime humoristike e satirike, artikuj, sprova, studime, që nuk i përmbahen asnjë trajte klasike, që, në pjesën më të madhe të rasteve, janë trajta të reja të një imagjinate që nuk pranon të formalizohet dhe duke i kujtuar njëkohësisht shkrimet tona për to, jam bindur sesa varfër, sesa njëanshëm i kemi lexuar dikur, në të vërtetë sesa shumë në leximin dhe në përvetësimin e tyre përkatës na kanë kufizuar censura dhe autocensura, ideologjia dhe politika, paragjykimet dhe gjykimet e kohës. Pas aq vjetësh kam parë se sa plagët shoqërore, politike dhe morale janë treguar në to; se sa e vërteta e hidhur është paralajmëruar në to; se sa e padrejta është zbuluar në to; se sa e keqja është dënuar në to; se sa e papritura është parandier në to. Duke i parë të gjitha këto që nuk i kemi parë mjaft qartë dikur, m’u ka kujtuar e vërteta që aq shpesh përsëritet në jetëshkrimet e shkrimtarëve: bashkëkohësit u bëjnë shpesh shkrimtarëve të padrejta jo vetëm me sjelljet ndaj tyre, por edhe me leximin e përciptë, të pakujdesshëm apo, madje, edhe të gabuar të veprave të tyre.
Leximi i kujdesshëm, i thelluar, i përqendruar i veprave të Ramiz Kelmendit sot na jep mundësi të zbulojmë në to një pasuri të vërtetë të dhënash, këndvështrimesh, ndjenjash, pasionesh, idesh, mendimesh, dëshirash, synimesh të njerëzve që në to paraqiten, në të vërtetë të botës që në to zbulohet, përshkruhet. Në tërësi ajo pranohet sot si vepër e krijuesit, që botën e sheh dhe e përjeton prej këndeve të njerëzve, të shtresave, të interesimeve dhe të fateve të ndryshme; si vepër e krijuesit që botën e sheh dhe e përjeton prej këndit të përtashësisë më parë se prej këndit të amshimit; që botën e sheh dhe e përjeton duke qeshur dhe duke qarë; që botën e përshkruan, por edhe e vlerëson; që është gjithnjë dëshmitar dhe gjykatës i asaj bote: si tregimtar e romancier, si humorist e satirik, si gazetar e publicist, por gjithnjë si artist.
E kemi ditur se Ramiz Kelmendi është njëri ndër gazetarët më të mirë të Kosovës dhe njëri ndër gazetarët më të mirë shqiptarë në përgjithësi. Për shkak se këtë e kemi ditur dhe e kemi pranuar të gjithë, kur i kemi lexuar dhe gjykuar veprat e tij letrare, vetvetishëm kemi menduar se në to gazetari ia ka marrë anën tregimtarit në tregime, romancierit në romane dhe kritikut në shkrimet e tij për letërsinë. Lehtë mund të bindemi tani se e vërteta është tjetër: se edhe në shkrimet e tij prej gazetari mbizotërojnë letrari dhe artisti. Kemi menduar se edhe në krijimtarinë e tij letrare fjalën kryesore e ka gazetari, për arsye se ai gjithnjë i ka parë dhe gjithnjë i ka trajtuar temat e ditës, problemet e përtashme, vijat dhe vragat e ditës; kemi menduar ashtu për arsye se ai gati kurrë nuk është marrë me të ashtuquajturat tema të mëdha. Duke e paraqitur botën e përtashme, jetën e përditshme të njerëzve, duke i parë njerëzit në rrugë, në udhëtim,në mbledhje, në punë të përditshme, në zyra, herët më të shpeshta të ndjekur prej pushtetit dhe bashkëpunëtorëve të sigurimit, të ndjekur pse e shohin padrejtësinë, të keqen,
pse dyshojnë në vlerat që ka caktuar ai pushtet; të ndjekur, më në fund, pse janë çka janë, ai na ka krijuar iluzionin se bota e tij është botë e gazetarit.

Kohë e vijave dhe e vragëve

E vërteta është, ndërkaq, se në temat dhe në problemet e përtashme, të ditës, që ka trajtuar ai, janë hetuar dukuri më të thella, dukuri që janë të përgjithshme në një kohë, që janë norma morale a kundërmorale e asaj kohe, që janë të përgjithshme shpesh në të gjitha kohët. Duke i paraqitur disa tema e probleme karakteristike për një kohë, ai ka paraqitur temat dhe problemet që do të bëhen karakteristike edhe në kohë më të vonshme; duke paraqitur ato që ishin karakteristike deri më 1981, ai do të parandjejë ato që do të bëhen karakteristike pas 1981-ës. Në këtë mënyrë, vepra e tij si vepër – dëshmuese e përtashësisë në shumë raste, është bërë paralajmëruese e së ardhmes sonë.
Këtë që them duhet ta dëshmojnë më konkretisht studiuesit e ardhshëm të letërsisë sonë: ata të cilëve , dua të besoj, Ramiz Kelmendi do t’u sjellë punë edhe me punën e tij të mëtejshme krijuese.
Unë sot po mjaftohem t’ju përkujtoj se një përmbledhje, përmbledhja e par e tregimeve të Ramiz Kelmendit, ka titull Vija e vragë. Dhe ky është titull që flet shumë për një kohë të vijave dhe të vragëve të shumta në jetën tonë: të vijave e të vragëve të jashtme e të brendshme – kombëtare dhe politike, morale, sociale e shpirtërore. Kemi pasur shumë vija e vragë dje.
Një roman, romani i parë i Ramiz Kelmendit, ka titullin Heshtja e armëve. Është ky titull në shikim të parë i rëndomtë, por është shumë kuptimplotë. Me të zbulohej dje dhe zbulohet sot një përmbajtje tragjike e jetës sonë: ajo përmbajtje që e quajmë hakmarrje. Kur e ka shkruar këtë roman Ramiz Kelmendi sigurisht nuk ka menduar se një ditë, 15-20 vjet më vonë, përmbajtja e saj do të bëhet brengë gjithëkombëtare; nuk ka menduar sigurisht se me romanin e tij është parathënë lëvizja për pajtimin e gjaqeve apo, madje, lëvizja për pajtimin kombëtar.
Një roman tjetër, romani i dytë i Ramiz Kelmendit, ka titullin Shtatë persona ndjekin autorin. Është ky titull shumë tregues, në të vërtetë titull simbolizues, me të cilin kallëzohet se çfarë përpjesëtimesh kanë pasur ndjekjet policore dhe pushtetore në jetën tonë.
Në romanin Shtatë persona ndjekin autorin, sigurisht jo për herë të parë në letërsinë tonë, as në krijimtarinë e vetë Ramiz Kelmendit, shtrohet problemi i shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Rëndësia historiko-letrare dhe vlera morale e kësaj vepre qëndron në faktin se problemi i të drejtave dhe i lirive themelore të njeriut aty shtrohet në një kohë kur ende nuk e kishim dëgjuar togfjalëshin liri dhe të drejta të njeriut, në të vërtetë kur për liritë dhe të drejtat e njeriut as nuk guxohej të shkruhej a të flitej botërisht.
Gjithsesi sot mund të thuhet se në veprën letrare e publicistike të Ramiz Kelmendit janë paraqitur anë të ndryshme të dramës sonë politike, shoqërore dhe morale nën sovranitetin serb pas Luftës së Dytë Botërore dhe në sistemin komunist. Ajo sot lexohet si vepër, prej së cilës shihet se si hierarkia politike e shoqërore në kushte të caktuara prodhon deformime të ndryshme morale e shpirtërore, gënjeshtra, ambicie të shfrenuara, që shprehen në mënyra të ndryshme, por gjithnjë tragjike në jetën e njerëzve të sunduar. Në të vërtetë, prej saj shihet se si në kushtet politike dhe shoqërore, në të cilat pushteti është vlera më e lartë, njeriu çnjerëzohet shkallë-shkallë. Tregimet e përmbledhjes Ahmet Koshutani janë, pa dyshim, monograme kuptimore të procesit të këtillë tragjik në jetën tonë shoqërore. Po ta përfundoj këtë fjalë në 80-vjetorin e jetës së kolegut e mikut tonë, i cili ka shkruar aq gjatë e aq kuptimshëm;i cili shkruante sepse donte të ishte dëshmitar historik i fatit të popullit të vet; i cili shkruante, sepse gëzohej kur shihte a dëgjonte të mirë; i cili shkruante, sepse ishte i brengosur, shumë i brengosur, për shkak të padrejtësive në jetë; i cili shkruante, sepse nuk mund të pajtohej me sasinë e madhe të së keqes e të marrëzisë në jetë; i cili shkruante, qoftë si gazetar, qoftë si shkrimtar, sepse besonte se fjala e tij mund të zgjojë ndonjë ndërgjegje. Besimi i tij në fjalën e shkruar nuk ishte i kotë.
Dëshmi e kësaj që them është edhe ky manifestim, me të cilën ia shënojmë 80-vjetorin, me urimet tona më të përkushtuara që të jetojë edhe shumë vjet, duke përdorur me suksesin e gjithmonshëm penën e tij të artë.

Akad. Rexhep QOSJA

Revista “Metafora”  

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img