1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Qosja: LVV-LDK, të bashkohen në qeverinë e shumëpritur të Kosovës për të mirën e popullit

Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri të afati ligjor për formimin e Qeverisë, Akademik Rexhep Qosja, iu bën apel dy partive, LVV-LDK që të nënshkruajnë marrëveshjen qeverisëse.

Përmes një shkrimi në Facebook, Qosja ka uruar që në fillim-javë të jetësohet koalicioni, megjithëse  ka thënë se dy partitë kanë koncepte të ndryshme.

“Uroj të marrë fund të hënën me 3.2.2020 kjo fatkeqësi politike aq shpesh e përsëritur në historinë kombëtare shqiptare dhe Vetëvendosja e LDK-ja, megjithëse parti me jetëshkrime e koncepte politike shumë të ndryshme, kur e ku thellësisht të papajtueshme, të bashkohen në qeverinë e shumëpritur të Kosovës për të mirën e popullit të saj dhe të gjithë popullit shqiptar”, ka shkruar Qosja.

Qosja ka kritikuar LDK-në duke thënë se kërkesat e saj që ta ketë edhe postin e kryetarit të vendit edhe të Kuvendit janë të paarsyeshme.

“Sa të paarsyeshme janë të dhënat me të cilat Përfaqësuesja e dytë e Treshes sonë e kushtëzon krijimin e Qeverisë! Edhe pse parti e dytë, ajo do të donte të jetë parti e parë në Qeveri: ajo kërkon të ketë edhe postin e kryetarit të Kuvendit, edhe postin e kryetarit të Kosovës! Dhe, natyrisht aq ministri sa edhe partia e parë! Sa Treshja e parë – Vetëvendosja!”, ka shkruar ndër të tjera Qosja.

Shkrimi i plotë:

TRESHJA JONË POLITIKE

Duke dëgjuar e duke shikuar se çka po bëhet, çka po shkruhet e çka po deklarohet për Qeverinë e Kosovës, të pa krijuar as pas gati katër muajve prej zgjedhjeve të mbajtura me 6 tetor 2019 m’u kujtua Treshja e Madhe Antifashiste e përbërë prej përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin Delano Rusveltit, prej përfaqësuesit të Bashkimit Sovjetik, Josif Visarionoviç Xhugashvilli – Stalinit dhe prej përfaqësuesit të Britanisë së Madhe, Uinston Çerçilit. Ata të tre, të mëdhenj në vendet e tyre e të mëdhenj në përmasën botërore, lehtë e shpejtë, krijuan Koalicionin Antifashist dhe pa munduar njëri-tjetrin dhe popujt e tyre, me po e jo, jo këtë javë po javën tjetër, si thonë studiuesit e tyre, mbajtën mbledhjet e quajtura konferenca:

-të Parën, në Teheran, në vitin 1943 në të cilën u morën vesh për krijimin e Frontit të dytë në Evropë;

-të Dytën, në Jaltë, në të cilën u morën vesh për krijimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në të cilën tri Fuqitë e Mëdha do të kishin të drejtë të Vetos, dhe;

-të Tretën, në Potsdam, në të cilën u morëm vesh: që të krijojnë Këshillin e Ministrave të Jashtëm të Fuqive të Mëdha, që Gjermania të paguajë dëmet e Luftës Botërore, që të bëjnë ndryshime në kufirin Poloni-Gjermani dhe që të kapitullojë pa kushte Japonia, e cila edhe kapitulloi mbas hedhjes së bombave atomike në Hiroshimë e në Nagasaki dhe pas hyrjes së Bashkimit Sovjetik në luftë kundër saj.

Domethënë: Tri Fuqitë e Mëdha, që po vendosnin për fatin, për ardhmërinë e popujve e të shteteve, për fatin e miliarda njerëzve në planetin e Tokës, po merreshin vesh, sy më sy, thuhet në një varg librash të shkruara për ta, për Luftën e Dytë Botërore, ndërkaq Dyshja jonë partiake, në të vërtetë Treshja jonë, kurrsesi nuk po mund të merret vesh as të krijojë koalicionin e as të krijojë Qeverinë! E quajta Treshe Dyshen tonë, sepse aktorët e saj të tretë, të përfaqësuar prej disa zëdhënësve të dukshëm e të padukshëm, që maskohen e çmaskohen, që luajnë lojëra politike kur pas e kur para perdes, herë shihen e herë s’shihen kur e si i luajnë ato lojëra. Dhe, i luajnë ato lojëra me Përfaqësuesin e dytë të Treshes sonë – LDK-në, kuptohet kundër Përfaqësuesit të parë – Vetëvendosjes!

Sa të paarsyeshme janë të dhënat me të cilat Përfaqësuesja e dytë e Treshes sonë e kushtëzon krijimin e Qeverisë! Edhe pse parti e dytë, ajo do të donte të jetë parti e parë në Qeveri: ajo kërkon të ketë edhe postin e kryetarit të Kuvendit, edhe postin e kryetarit të Kosovës! Dhe, natyrisht aq ministri sa edhe partia e parë! Sa Treshja e parë – Vetëvendosja!

Ajo nuk flet për qeveri të njësuar, por për partneritet të fortë me partinë e parë – Vetëvendosjen. Ajo do qeveri të partneritetit, qeveri të ekuilibruar, si thonë zëdhënësit e saj, sepse do Qeveri më shumë të interesave të saj se të interesave të Kosovës!

E kuptueshme!

Vetëvendosja është parti e veçantë në Kosovë sot: është e veçantë me përbërjen e saj; e veçantë me programin e saj; e veçantë me politikën e saj dhe e veçantë me qëllimet që dëshiron të sendërtojë Qeveria e kryesuar prej saj në Kosovën e hallakatur, të hallakatur në pikëpamje organizuese, në pikëpamje ekonomike, në pikëpamje financiare, në pikëpamje arsimore, në pikëpamje kulturore, në pikëpamje gjykatore, në pikëpamje etike e në pikëpamje të tjera!

Qeveria e Vetëvendosjes si po thonë, si po deklarojnë, si po shpresojnë shumica e qytetarëve, do ta shërojë Kosovën nga zhvatësit e pasurive shoqërore e shtetërore të saj, nga multimilionerët e milionerët politikë të Kosovës, nga të korruptuarit e nivelit të lartë të Kosovës, nga nepotistët e Kosovës e nga eksploatuesit e tjerë të lartë të saj, do ta shërojë Kosovën nga zyrtarët e quajtur të papërgjegjshëm, dëmtues, cenues e shkelës të Kushtetutës e të ligjeve që rregullojnë funksionimin e shtetit të ri të Kosovës në të gjitha sferat e jetës.

Kësaj i frikësohen Përfaqësuesi i dytë dhe Aktorët e tretë të Treshes së Kosovës, prandaj qe gati katër muaj po e luajnë lojën e maskuar dhe të çmaskuar për ta qitur prej Lojës politike në qoftë se nuk do të mund ta mbisundojnë Përfaqësuesin e parë – Vetëvendosjen, së cilës qytetarët ia kanë dhënë votën për ndryshimet që do të përmirësonin gjendjen e tyre, fatin shtetëror, politik, shoqëror, ekonomik e juridik të tyre e të Kosovës, në të vërtetë të ardhmen e tyre e të saj.

Janë disa pesimista që mendojnë: se mos sot nesër do të kenë sukses përfaqësuesit e Treshes së Dytë dhe të Tretë dhe do ta nxjerrin Vetëvendosjen prej qeverisjes, që në duart e tyre nuk zbatohet si qeverisje demokratike, por si pushtet autokratik.

I përjeton e i pëson Kosova pasojat e kësaj Mosmarrëveshjeje disamujore të Treshes sonë partiake e politike, që janë: pasoja të politikës së saj të brendshme, pasoja të politikës së saj të jashtme, pasoja të prestigjit të saj si shtet i lirë e i pavarur, pasoja të ekonomisë së saj, pasoja të përgjithshme, që e dëshmojnë papjekurinë tonë politike e shtetërore, pasoja që e shpërfytyrojnë në çdo aspekt shtetësinë e saj!

Por, për këto pasoja po dëshmojnë me sjellje se nuk duan të lodhen shumë, sado për to flasin me patos e retorikë si patriotë e si padronë të jetës sonë, Përfaqësuesit e Treshes sonë: milionerët politikë të firmave e kompanive, të shumëkatësheve e vilave, të lagjeve e fshatrave, të tokave e parcelave, në Kosovë e në Shqipëri, të vilave bjeshkore e detare e të pronave të tjera e kush krejt mund ta dijë se ku janë, si duken e si përdoren! Deri kur?!

Fatkeqësia shqiptare, e përsëritur shpesh gjatë historisë, e quajtur mosmarrëveshje e pushtetarëve dhe adhuruesve të pushtetit, po përsëritet edhe tani dhe po përsëritet në një mënyrë të re: tragjikomike.

Uroj të marrë fund të hënën me 3.2.2020 kjo fatkeqësi politike aq shpesh e përsëritur në historinë kombëtare shqiptare dhe Vetëvendosja e LDK-ja, megjithëse parti me jetëshkrime e koncepte politike shumë të ndryshme, kur e ku thellësisht të papajtueshme, të bashkohen në qeverinë e shumëpritur të Kosovës për të mirën e popullit të saj dhe të gjithë popullit shqiptar.

Rexhep QOSJA
Prishtinë, 30.1.2020

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img