Site icon PrishtinaPress

“Qoftë kjo Pashkë, e bardhë e mbarë për familjet e të gjithë besimtarëve”

Kryeministri Albin Kurti ka uruar të gjithë besimtarët katolikë për festën e Pashkëve. 

“Sonte, besimtarët katolikë e protestantë anekënd botës, e bashkë me ta dhe besimtarët shqiptarë, përgatiten të kremtojnë agimin e ringjalljes dhe dritës, dashurisë dhe shpresës. Pashkën e madhe”, ka shkruar Kurti.

“Fuqia e dashurisë për njeriun dhe shpresa për të janë sot më shumë se kurrë të thirrura për të na e përmbushur sprovën”.

Shkrimi i plotë:

Urime Pashkën!

Sonte, besimtarët katolikë e protestantë anekënd botës, e bashkë me ta dhe besimtarët shqiptarë, përgatiten të kremtojnë agimin e ringjalljes dhe dritës, dashurisë dhe shpresës. Pashkën e madhe.

Fuqia e dashurisë për njeriun dhe shpresa për të janë sot më shumë se kurrë të thirrura për të na e përmbushur sprovën.

Qoftë kjo Pashkë, e bardhë e mbarë për familjet e të gjithë besimtarëve. Na bëftë më të fortë për t’i duruar mundimet e për ta ndihmuar njëri-tjetrin.

Këto vite i kaluam të sfiduar nga pandemia e vështirësitë. E tani një popull i madh në kontinentin tonë po përjeton luftën e pushtimin, krimet dhe tmerrin e masakrave. Qofshin këto kremtime edhe lavd për dashurinë e qëndrueshmërinë e madhe të ukrainasve për atdheun e tyre, lirinë dhe demokracinë aty dhe në të gjithë Evropën.

Paçim durimin për t’ia dalë mbanë bashkë e më së shumti me ata që e kanë nevojën për ndihmën tonë. Ngase me mesazhin e mirësisë dhe ringjalljes, vjen shpresa se pas errësirës lind drita e pas dëshpërimit çel gëzimi.

Urime Pashka, siç thotë ungjilli kënduar në shqip – “Jezusi, pasi i deshi të tijtë që ishin në botë, i deshi deri në fund të fundit”, – nga Gjon Buzuku ynë shkruar në Meshar: Gjithë popullsinë e krishtenë ndër Arbanit ata n’mortajet largo, ty të lusmë. O Zot!

Exit mobile version