Thonjtë e zgjatur e bartja e aksesorëve nga personeli shëndetësor, janë evidentuar si disa nga shkaktarët që kontribuojnë në përhapjen e infeksioneve brenda-spitalore.
Të paktën kështu thuhet në raportin e 2022 të cilën e ka nxjerrë Ekipi për Kontroll dhe Parandalim të Infeksioneve Spitalore në QKUK, raport ky që ka dhënë rezultate shqetësuese sa i përket infeksioneve, shkruan Klan Kosova.
Lidhur me këto tashmë është e informuar edhe U.D. drejtoresha e ShSKUK-së, Narqize Arënliu-Hoxhaj, për të cilat thotë se do të veprohet.
“Është etikë e secilit nga ne, sidomos ne që punojmë në institucione shëndetësore, dukja jonë si nga ana fizike dhe nga ana e higjienës. Me ekipin që u takuam, edhe ata e shprehën këtë pakënaqshmëri edhe jemi në diskutim për marrjen e masave”, tregon Arënliu-Hoxhaj.
Edhe Shoqata për të Drejtat të Pacientëve të Kosovës (PRAK) konsideron se stafi shëndetësor nuk është aty për t’u dukur bukur, por pacientëve iu intereson shërbimi e jo thonjtë e gjatë, grimi dhe veshja, gjë për të cilën edhe PRAK kërkon nga kompetentët veprime të shpejta.