-1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Qindra-mijëra euro të keqpërdorura në Agjencinë e Barnave, dëshmitarët zbulojnë në gjykatë prapaskenat e këtij krimi

Yll Gashi, zyrtar i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), në cilësi të dëshmitarit ka mohuar se në vitin 2017 ka tërhequr mbi 15 mijë euro në emër të avancave të udhëtimit jashtë vendit, pasi që kjo sipas tij do t’i binte që nuk ka qenë në punë pothuajse asnjë ditë.

Një deklarim të tillë, Gashi e ka dhënë në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj zyrtarit të AKPPM-së, Mendim Sojeva dhe zyrtares së Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Ganimete Gashi– Ahmeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, Sojeva po akuzohet për veprën penale të “Përvetësimit në detyrë”, kurse Gashi – Ahmeti po akuzohet se në bashkëkryerje me Sojevën, kanë kryer veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”. Prokuroria Speciale e akuzon Sojevën se i kishte përvetësuar mbi një milion euro, në emër të avancave për udhëtime të ndryshme zyrtare.

Dëshmitari Gashi, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Haki Gecaj, ka thënë se në AKPPM avancat janë përdorur për udhëtime të zyrtarëve jashtë vendit, e që ka shtuar se edhe ai ka udhëtuar disa herë jashtë vendit me avanca.

Gashi ka thënë se nga viti 2016, për avanca të udhëtimeve jashtë vendit përgjegjëse ka qenë zyra e financave, respektivisht tani i akuzuari Mendim Sojeva, për të cilin tha se ka bërë dorëzimin e mjeteve të avancave, si dhe barazimin e tyre.

“Së pari e kemi marrë aprovimin nga kryeshefi ekzekutiv, pastaj i gjithë dokumentacioni tjetër është nënshkruar nga departamenti i financave, kryesisht e potencoj se nganjëherë ka mujt mos me qenë Mendim Sojeva, por kryesisht te Mendim Sojeva”, ka deklaruar Gashi.

Kurse, ai tha se në vitin 2017 ka qenë dy herë në udhëtim zyrtarë në Shqipëri dhe shuma e avancit që ka pranuar për një udhëtim ka qenë 220 deri 240 euro.

Ndërsa, Gashi ka mohuar se ka qenë në dijeni që në vitin 2017 në emër të tij ka pasur të hapura avanca në emër të udhëtimeve jashtë vendit.

Po ashtu, Gashi ka mohuar që në vitin 2017, në emër të avancave të udhëtimit jashtë vendit të tij kanë qenë të zotuara shuma prej 25 mijë e 889 euro, si dhe ta ketë tërhequr shumën prej 15 mijë e 380 eurove.

“Është e pakuptimtë, se sikur ta kisha pranuar këtë shumë të parave në emër të avancave për vitin 2017, mua nuk më bie të isha në vendin e punës thuajse asnjë ditë”, ka deklaruar dëshmitari Gashi.

Tutje, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares Lendita Fetahu, e cila ka deklaruar se në vitin 2017 ka udhëtuar në Shqipëri, për të cilin udhëtim tha se ka marrë mëditje dhe jo avancë.

Ajo ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se në emër të saj janë bërë zotime për avancë të udhëtimeve jashtë vendit në shumë prej 20 mijë e 220 euro.

Po ashtu, ajo ka mohuar që ka tërhequr shumën prej 6 mijë 710 euro në emër të avancave të udhëtimeve jashtë vendit.

“Jam qind për qind e sigurt që nuk e kam pranuar këtë shumë, se nuk kam udhëtuar as nuk kam pranuar”, ka thënë dëshmitarja Fetahu.

Kurse, ajo ka deklaruar se me avancë në AKPPM është marrë tani i akuzuari Mendim Sojeva.

Në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Lutfi Mulaku, i cili ka deklaruar se ka udhëtuar jashtë vendit dhe në disa raste ka marrë edhe avanca.

Ai ka thënë se përgjegjës për avanca ka qenë i akuzuari Mendim Sojeva, i cili sipas tij i ka lëshuar mjetet dhe i ka nënshkruar barazimet e mjeteve pas kthimit nga udhëtimi.

Mulaku ka thënë se për udhëtimet jashtë vendit në vitin 2017 ka pranuar avanca në shumë prej 9 mijë e 700 euro, kurse ka mohuar që në vitin 2017 ka zotuar shumën mbi 16 mijë euro në emër të avancave të udhëtimeve jashtë vendit dhe që ka tërhequr shumën 11 mijë e 950 euro.

Po ashtu edhe dëshmitari Driton Bajramaj, ka deklaruar se avancat për udhëtime jashtë vendit i kishin pranuar nga i akuzuari Mendim Sojeva, ndërsa ka mohuar që në emër të avancave për udhëtime jashtë vendit ka tërhequr shumën prej 7 mijë e 380 euro.

Ai ka shtuar se në vitin 2017 ka pranuar avancë në shumë prej 705 euro për udhëtime jashtë vendit.

Në këtë seancë është dëgjuar në cilësi të dëshmitares edhe certifikuesja e pagesave e AKPPM-së, Suzana Llapashtica, e cila ka deklaruar se sipas asaj se çfarë ka dëgjuar i akuzuari Mendim Sojeva e kishte ngarkuar me 3 mijë e 500 euro në emër të avancave të udhëtimeve jashtë vendit.
Ajo ka mohuar ta ketë tërhequr shumën prej 3 mijë e 500 euro në emër të avancave të udhëtimeve jashtë vendit.

Tutje, ka thënë se pasi që kishte parë një raport të Ministrisë së Shëndetësisë, e kishte kuptuar që në emër të avancave kishin munguar 300 mijë euro.

“Na kemi pas ndarje të mjeteve për secilin kod, atëherë mu doke shumë absurde përderisa kemi pasur 20 mijë ndoshta 30 mijë dëme avanca, e me mungu 300 mijë euro mua m’u doke e pakapshme kjo gjë”, ka deklaruar dëshmitarja Llapashtica.

Pas kësaj, ajo tha se aty e kishte kuptuar që ishte ngarkuar me shumën prej 3 mijë e 500 euro në emër të udhëtimeve jashtë vendit, e që pas kësaj ajo tha se kishte kërkuar sqarim edhe nga Ministria e Shëndetësisë, respektivisht nga Hajriz Dobruna.

“Atëherë kam shkuar në Ministri të Shëndetësisë dhe jam takuar me Hajzer Dobrën, ai ka qenë si ushtrues detyre atë kohë, veç e kam pyet a është e mundur që ky raport me kanë real, apo ka gabim diçka, ka thënë raporti është prej sistemit, ky është raporti i AKPPM-së, dhe absolut sen s’kam kuptuar me atë raport që e kam pas në dorë”, ka thënë Llapashtica.

Pas përfundimit të orarit të punës, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli e ka ndërprerë seancën dhe të radhës e ka caktuar më 5 prill 2022.

Ndryshe, me këtë lëndë kishte qenë fillimisht i ngarkuar gjykatësi Valon Kurtaj, i cili edhe e kishte mbajtur seancën fillestare me 6 nëntor 2020, ku dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Por, pas avancimit të gjykatësit Ismaili nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departamentin Special, ky rast ishte ndarë tek ai.

Për këtë arsye, sipas Kodit të Procedurës Penale, në rast të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor fillon rishtas.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 6 tetor 2020, i akuzuari Mendim Sojeva po akuzohet se në cilësinë e udhëheqësit të divizionit për buxhet dhe financa në AKPPM, në periudhën prej vitit 2014 e deri në mars 2018, kishte përvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së.

Sipas PSRK-së, këto avanca i ishin besuar të akuzuarit Sojeva në menaxhim sipas pozitës së tij, ku shumën e përgjithshme prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra nga zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Fatmir Kajtazi, e kishte pranuar i akuzuari Sojeva, duke nënshkruar në fletë-tërheqje me rastin e pranimit për shumën 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, por për të cilat nuk ka dëshmi se ishin respektuar procedurat për tërheqje.

Në aktakuzë përmenden shuma të ndryshme të parave. Për disa prej tyre thuhet se ekziston dokumentacion i kompletuar, ndërsa për disa të tjera jo, ku vetëm në vitin 2017, sipas prokurorisë, në emër të 40 zyrtarëve të AKPPM-së, ishin tërhequr 290 mijë e 430 euro, të cilët zyrtarë e kishin mohuar se i kishin pranuar këto shuma dhe se nuk ka dëshmi për pranim nga ana e tyre në emër të MSh-së.

E gjithë kjo shumë e avancave, sipas PSRK-së, ishte zotuar në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK) me ID të përdoruesve Shkelzen Sadriu në vlerë 1 milion e 238 mijë e 764 euro, me ID të përdoruesit Naime Shahini-Feta shuma prej 173 mijë e 305 euro, të cilët zyrtarë kishin mohuar se kishin bërë këto shuma të zotimeve, duke dyshuar në të akuzuarin Sojeva, i cili sipas tyre i kishte keqpërdorur fjalëkalimet e tyre.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se regjistrimi i shpenzimeve për avancat në SIMFK ishte bërë me ID të Dhurata Alihajdaraj–Veseli, shuma prej 553 mijë e 269 euro, me ID të Thesarit, Ibadete Shala shuma prej 156 mijë e 750 euro dhe Bali Morina shuma prej 20 mijë e 850 euro, të cilët kishin mohuar se kishin bërë regjistrim të shpenzimeve të avancave duke e akuzuar të akuzuarin për keqpërdorim të fjalëkalimeve të tyre.

Sipas aktakuzës, aprovimi i tërheqjes ishte bërë nga zyrtari kryesor financiar në MSh, Musa Rexhaj dhe ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor financiar Hajzer Dobra, kurse nga e gjithë shuma e tërhequr, të përdoruesit të të akuzuarit Sojeva ishin certifikuar 779 mijë e 289 euro, për të cilat në AKPPM, nuk ekziston dokumentacion për arsyetimin e tyre.

Nga shuma prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra në emër të avancave, për 133 mijë e 940 euro, ekziston dokumentacion i kompletuar dhe gjysmë i kompletuar, kurse për avancat e tërhequra në vlerë prej 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, përveç fletë tërheqjeve të siguruara nga AKPPM dhe NLB, e të nënshkruara nga i akuzuari se i kishte pranuar, në AKPPM nuk ekziston asnjë dokumentacion se ato avanca ishin miratuar apo aprovuar nga menaxhmenti apo se cili zyrtar i kishte pranuar.

Kjo shumë e paarsyetuar si dëshmi, sipas PSRK-së ishte përvetësuar nga i akuzuari Sojeva, i cili i kishte pranuar ato para, duke i shkaktuar dëm buxhetit të AKPPM-së – Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së, Sojeva në cilësinë e zyrtarit certifikues për qasje në SIMFK dhe Ganimete Gashi-Ahmeti si zyrtare shpenzuese për qasje në këtë sistem, nga 7 shkurti e deri me 12 shkurt 2018, përmes ueb-shfletuesit “Internet Explorer”, kishin hyrë në këtë sistem me fjalëkalim të personave zyrtar të Ministrisë së Financave, kishin mbyllur avancat duke bërë regjistrimet si shpenzim dhe certifikim të avancave për udhëtime zyrtare të tërhequra nga banka të emër të zyrtarëve të AKPPM-së me user të Bali Morinës.

Kështu, të njëjtit pretendohet se kishin regjistruar kuponë shpenzimi në vlerë 20 mijë e 850 euro, ndërsa në emër të Ibadete Shalës kishin regjistruar si shpenzim i avancave për udhëtime zyrtare 72 kuponë në vlerë 154 mijë e 736 euro e 84 centë, në shumë të përgjithshme 175 mijë e 586 euro e 84 centë, me user të të akuzuarit Sojeva, duke u munduar të arsyetojnë këtë shumë të avancave të tërhequra nga Banka NLB, në emër të zyrtarëve të AKPPM-së.

Për këto veprime, Sojeva po ngarkohet me veprat penale “Përvetësimi në detyrë”, dhe në bashkëkryerje më të akuzuarën Ganimete Gashi–Ahmeti edhe për veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img