Site icon PrishtinaPress

Qeveria vendos për shpronësimin e disa pronave “për interes publik”

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar shpronësimin e disa pronave për “interes publik”, raporton Gazeta Express.

Fillimisht u plotësua/ndryshua një vendim i korrikut për shpronësimin e disa pronave të paluajtshme “të cilat preken nga realizimi i Projektit: Ndertimi i Nderteses Administrative” për nevoja të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganave të Kosovës”.

Më pas, Qeveria vendosi për shpronësimin e disa pronave që preken nga realizimi i projektit për mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe investimi në “Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut”.

Po ashtu, Qeveria vendosi për miratimin e vendimit preliminar për shpronësimin e pronës së paluajtshme të ish ndërmarrjes shoqërore “Jugopetrol” në Rahovec për projektin “Ndërtimi i Sheshit Qendror të Qytetit”.

U miratua edhe vendimi preliminar “për shpronesim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit ‘Programi për Menaxhimin e Mbeturinave te Ngurta”.

Për realizimin e projektit “Varrezat e qytetit të Prizrenit”, u vendos për shpronësimin e pronës së paluajtshme të ish-ndërmarrjes shoqërore “Progres”.

U miratua edhe shpronësimi i pronës së paluajtshme të ish-ndërmarrjes “Sharrprodhimi” për realizimin e projektit “Ndërtimi i Zonës së Gjelbër-Parkut Publik per nevoja te Komunitetit”.

Exit mobile version