-0.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Qeveria ta pamundësojë ardhjen e trenit serb në Kosovë, Serbia po përgatit befasi tjera

Pas 18 vjetësh, Serbia po bëhet gati që nesër ta lëshojë në qarkullim trenin në linjën Beograd- Mitrovicë.

Lidhur me këtë çështje, autoritet e Kosovës përveç që e kanë cilësuar këtë si veprim ilegal, nuk kanë bërë të ditur se cilat do të jenë masat konkrete që do të ndërmarrin nesër që ta parandalojnë hyrjen e këtij treni në territorin e Kosovës.

Këtë veprim të Serbisë, njohës të çështjeve të sigurisë dhe analistët e shohin si provokim dhe agresion të radhës.

“Nuk ka të bëjë me liri të lëvizjes e as me komunikim ndërnjerëzor. Institucionet e Kosovës qartësisht duhet të pamundësojnë hyrjen e ‘trenit’ në Kosovë. Jam i bindur se institucionet kanë kapacitete të mjaftueshme për t’u përballë me këtë agresion. Duhet të ketë vendimmarrje të vendosur dhe të përkushtuar”, ka thënë Ramadani.

Ai ka shtuar se tensionimi i situatës në veri të Kosovës është duke u rritur gradualisht, porse kjo kërkon qasje të matur dhe të fuqishme nga institucionet e Kosovës.

“Në të njëjtën kohë, duhet marrë mbështetjen e prezencës ndërkombëtare ushtarake, për të arritur përpjekjet e përbashkëta për garantimin e stabilitetit dhe sigurisë kombëtare të Kosovës”, u shpreh Ramadani.

Edhe njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, e sheh si provokim ardhjen e këtij treni, duke theksuar se kjo përbën ndërhyrje dhe amortizim të institucioneve të vendit tonë. Në një prononcim për Telegrafin ai ka theksuar se viti 2017 do të jetë viti më sfidues për institucionet e vendit tonë, duke shtuar se shteti fashist serb dëshiron me çdo kusht të nxisë trazira në veri të Kosovës.

“Shërbimet inteligjente serbe janë duke bërë gjithçka për t’i realizuar skenarët e vet. Muri te ura, hedhja e bombës në objektin e Qeverisë së Kosovës, si dhe kjo e fundit kur me 14 janar vjen treni nga Serbia, janë provokime të rënda për shtetin e Kosovës . Në tren janë vendosur mbishkrimet provokuese, si ‘Kosova është Serbi’, si dhe përmbajte të tjera fyese. Ardhja e trenit, pa lejen e autoriteteve të Kosovës përbën ndërhyrje dhe amortizim të institucioneve të vendit tonë”, u shpreh Islami.

Ai ka shtuar se ky nuk do të jetë i vetmi provokim, pasi do të kemi shumë “befasi” tjera nga Serbia, shtet ky që gjithmonë ka shkaktuar luftëra të përgjakshme.

Islami theksoi se treni përveçqë është provokim, është edhe test për institucionet se nëse nuk ndalen nesër ku me ditë se me çka do të hyjnë herëve tjera.

Në anën tjetër, analisti Imer Mushkolaj lëshimin në qarkullim të këtij treni e sheh si provokim të Serbisë.

“Serbia po i vazhdon provokimet, ngase e ka kuptuar se institucionet kosovare nuk reagojnë. Në vend se të ndërmerren veprime institucionale karshi këtyre akteve ilegale, Qeveria mjaftohet me komunikata e lutje Brukselit që të ndërhyjë”, ka thënë Mushkolaj për Telegrafin.

Ai ka theksuar se linja do të funksionojë pa problem, siç funksionojnë edhe institucionet tjera paralele serbe gjithandej vendit.

Lidhur me këtë problem, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, i është drejtuar me një letër Bashkimit Evropian nga i cili ka kërkuar që ta ndal trenin ilegal të Serbisë në shtetin e Kosovës. Ajo ka theksuar se Serbia po vazhdon me provokime të rënda, të cilat janë në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img