Site icon PrishtinaPress

Qeveria synon që për 18 ditë t’i përmbushë kushtet për liberalizimin e vizave

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ministrja për Integrime Evropiane Dhurata Hoxha, ka njoftuar për datën kur Kosova do ta pranojë raportin nga Komisioni Evropian lidhur me ecurinë e Kosovës në drejtim të liberalizimit të vizave, raporton Insajderi.

Hoxha ka shpjeguar para kabinetit të Qeverisë dhe para kryeministrit se 17 prilli do të jetë data kur Kosova do ta pranojë raportin në lidhje me progresin që ka bërë. Ajo ka thënë se në bazë të kontakteve të saj me anëtarët e Komisionit Evropian, gjendja në krahasim me vitin 2016 nuk ka ndryshuar.

“Më  17 prill pritet publikimi i raportit për vendin apo progresin të cilin e ka pasur Kosova. Sipas shkëmbimeve që kam pasur me kolegët e Komisionit Evropian, duhet të presim një raport real të gjendjes në Kosovë dhe gjendja nuk ka ndryshuar shumë që nga viti 2016 në pjesën dërmuese të vendit”, ka thënë ajo.

“Progresi në shumicën e kapitujve nuk do të jetë i madh sepse nuk ka pasur lëvizje të mëdha të kapitujve, natyrisht për rrethana objektive pasi që viti 2017 ka qenë vit zgjedhor. Të gjeturat e raportit për vendin presim që të adresojmë në kuadër të adresimit të implementimit të MSA-së të cilin e kemi miratuar me 9 mars të këtij viti, njëkohësisht elemente më të rëndësishme të këtyre të gjeturave janë pjesë e agjendave të raportit. Pra çka mund të presim në raportin e progresit është për elementet që nuk janë plotësuar ende në agjendën evropiane të reformave”, ka thënë ministrja duke numëruar disa nga sfidat e Kosovës.

Menjëherë pas raportimit të Hoxhës, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, ka thënë se në bazë të këshillave të Hoxhës Kosova duhet ta këtë fokusin dhe të punojë në këtë drejtim që pas 18 ditëve të ketë raport pozitiv për Kosovën.

“E dëgjuam raportin e ministres tash 17 prilli veç erdh dhe i kemi disa detyra konkrete që mund t’i kryejmë dhe me të cilat mund ta përforcojmë pozitën e Kosovës dhe do ta bënim më të afërt dhe më të sigurt liberalizimin e vizave. Me disa ministra i kemi diskutua, disa punë i kemi në parlament besoj që nesër është paraparë të lëvizët në këtë drejtim. Sepse ajo çfarë e tha ministrja duhet ta ketë vëmendjen tonë dhe të mos humbet fokusi në këto tema”, ka thënë Haradinaj gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Exit mobile version