Site icon PrishtinaPress

Qeveria: Së shpejti do të merret një vendim për targat e Serbisë

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se policia kufitare e Kosovës po monitoron zbatimin e vendimit të Serbisë për qarkullimin e veturave me targa RKS.

Ai ka theksuar se sjellja dhe vendimi i Qeverisë do të jenë mbi bazën e parimit të reciprocitetit dhe i mbështetur mbi analizat dhe përfundimet e policisë kufitare mbi nivelin e zbatueshmërinë nga ana e Serbisë.

Po ashtu, Kryeziu potencoi se një vendim pritet që të merret së shpejti.

“Policia jonë kufitare është duke monitoruar me kujdes zbatimin e vendimit të Serbisë për qarkullimin e veturave me targa RKS. Siç kemi thënë edhe javën e kaluar, sjellja dhe vendimi ynë do të jenë mbi bazën e parimit të reciprocitetit dhe i mbështetur mbi analizat dhe përfundimet e policisë kufitare mbi nivelin e zbatueshmërinë nga ana e Serbisë. Një vendim pritet që të merret së shpejti”, tha Kryeziu për RTV Dukagjini.

Që nga e hëna e 1 janarit, makinat me targa RKS – Republika e Kosovës, po lëvizin lirshëm në territorin e Serbisë.

Lëvizja e tyre është mundësuar pas vendimit të 25 dhjetorit të vitit 2023 të Qeverisë serbe.

Siç kishte thënë paraprakisht shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, Qeveria e Serbisë mori këtë vendim “për të ndihmuar serbët nga Kosova”.

Para mediave, ai ka deklaruar se vendimi është një shtysë shtesë për nismën “Ballkani i Hapur”, që sipas Petkoviqit ua lehtëson jetën serbëve në Kosovë, pasi ata kryesisht përdorin pikëkalimet administrative.

Vendimi i Qeverisë serbe për të njohur makinat me targa RKS u mor pasi serbët që jetojnë në komunat në veri të Kosovës, gjerësisht zëvendësuan me RKS targat KS të lëshuara nga UNMIK-u, por edhe targat e lëshuara nga autoritetet e Serbisë që ishin me akronime serbe për qytetet e Kosovës.

Për çështjen e lëvizjes së Lirë, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje më 2011, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Makinat ishin lejuar të kalonin, ndërkaq targat ishin mbuluar me letra ngjitëse.

Para praktikës së letrave ngjitëse, automjetet me targa RKS detyroheshin të merrnin targa provuese në kufirin me Serbinë, që vlenin 60 ditë dhe kushtonin 5 euro. Por, më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit, që detyroi edhe shoferët nga Serbia ta kalonin të njëjtën procedurë për të hyrë në Kosovë.

Por, kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, të cilët bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e bllokut, më 30 shtator 2021, u arrit marrëveshja e përkohshme për targat. Kjo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjate, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.

Exit mobile version