Qeveria e Kosovës ka dalë me një komunikatë lidhur me zgjedhjet e mbajtura në Komunën Veriore të Mitrovicës, atë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe të Leposaviqit.
Prej gjithsej 45.095 qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat e veriut, vetëm 3,47 për qind e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votimit. E kjo sipas qeverisë ndodhi për shkak të “fushatës kërcënuese të orkestruara nga Beogradi zyrtar e e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje”.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Policia e Kosovës ishin në krye të detyrës në organizimin dhe ofrimin e kushteve të përshtatshme për ushtrimin e të drejtës për votë. Fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje”, thuhet në njoftim.
Zgjedhjet në veri ndryshuan hartën politike të komunave nëpër Kosovë: PDK zë vendin e parë
Qeveria ka falënderuar qytetarët të cilët shfrytëzuan të drejtën e tyre për votë.
“Krahas institucioneve për punën e tyre, falënderojmë qytetarët për kurajën dhe qetësinë. Zgjedhjet janë manifestim i demokracisë, të cilat përveçse e drejtë e qytetarëve, janë obligim e përgjegjësi që burojnë nga kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e vendit. Në të njëjtën kohë, janë domosdoshmëri për garantimin e funksionimit normal të institucioneve shtetërore dhe sigurimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve”.
Ndërkohë u uruan të përzgjedhurit nëpër këto komuna.
“Kryetarëve dhe asamblistëve të sapo zgjedhur në këto komuna u urojmë punë të mbarë dhe suksese në detyrat dhe përgjegjësitë e reja. Qeveria e Republikës së Kosovës u ofron mbështetjen e plotë të saj në shërbim të qytetarëve, pa dallim“./PrishtinaPress/