Qeveria e Kosovës ka dalë me komunikatë për media pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me zëvendëssekretarin amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James C. O’Brien.
Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se në takim është folur edhe për procesin e dialogut.
“U fol dhe mbi procesin e dialogut, ku Kryeministri Kurti veçoi faktin se Kosova ka qenë e vazhdon të jetë palë konstruktive, e dedikuar dhe angazhuar për hapa të rëndësishëm tutje në proces.”, thuhet në komunikatë.
Kurti ka deklaruar që nënshkrimi i marrëveshjeve do të nënkuptonte pranim.
“Nënshkrimi i marrëveshjeve do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe garanci për zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues“, thuhet më tej.
Tutje, Kurti theksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar maksimalisht në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe NATO si objektiva kryesorë strategjik.
Gjithashtu, Kryeministri Kurti foli dhe mbi projektet ekzistuese e të ardhshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga energjia solare dhe e erës.