4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Qeveria nuk ua kompensoi dëmet nga vërshimet, komunat rrezikohen nga vërshimet e tjera

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar vërshime në një probabilitet prej mbi 20 për qind në disa komuna të rrezikut për vërshime, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Në mesin e këtyre komunave është edhe Mitrovica e Skenderaj, të cilat nga vërshimet e fundit pësuan dëme materiale në vlera milionëshe. Për këtë, Qeveria ende nuk ua ka kompensuar dëmet, duke zvarritur procedurat në komision.

Sipas IHMK-së, zonat ku rrezikohen nga përmbytjet janë zonat veriore dhe ajo jugore. Tek pjesa veriore, rrezikohen Mitrovica dhe Skenderaj, ku janë edhe lumi Ibër, Sitnica dhe ai i Drenicës, ku ka pasur përmbytje së fundmi.

IHMK paralajmëroi për këtë javë përmbytje edhe në pjesë të tjera të Kosovës.

“Nga këto prognoza fillimisht meteorologjike me reshje e pastaj hidrologjike me mundësi vërshime në interval afatshkurtër nga shiu, parashihet që të kenë ndikim sidomos në:

– Pjesa veriore: Pellgu i Ibrit (Sistemet lumore të: Ibrit, Sitnicës Llapit, Drenica etj.) ku Probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 20-vjeçare: është 20 % ndërsa 5-vjeçare: 24 %.

– Ndërsa pjesa Perëndimore, jugore dhe lindore (Pellgu i Drinit të Bardhë, Lepencit dhe Moravës së Binçës), parashikohet një probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 5-vjeçare, gjegjësisht sasi më e vogël e reshjeve”, u tha në njoftimin e IHMK-së.

Përgjatë ditës së djeshme, Gazeta Insajderi ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamzën dhe atë të Skenderajt, Fadil Nurën, të cilët kanë ngritur alarmin për kapacitete të limituara të parandalimit të dëmeve të mëdha.

“Unë mendoj që jemi ndër komunat thuajse më të rrezikuara, për shkak se e kemi numrin më të madh të lumenjve që kalojnë nëpër qytetin e Mitrovicës. Brenda kapaciteteve tona, ne e bëjmë maksimumin. Megjithatë, dihet se ato kapacitete janë bukur të limituara. Po urojmë që të mos ketë vërshime sepse e dimë si kaluam jo fort larg prej ditës së sotme. Kështu që, jemi në përcjellje të situatës, mbetet me pa”, ka deklaruar Hamza për Insajderin.

“Përgatitjet i kemi, po varet nga niveli i reshjeve. Nëse është niveli i madh është e pamundur me kapacitetet që i kemi. Jo vetëm ne po asnjë komunë. Paralajmërohet që do të ketë reshje por nuk dihet se çfarë mund të ndodh”, tha Nura.

Përkundër që janë bërë më shumë se gjysmë viti nga dëmet milionëshe të shkaktuara nga vërshimet në komunat respektive, niveli qendror po e zvarrit procesin në komision. Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, përpara një muaji pati thënë se është përpunuar një raport final dhe është dërguar në Ministri të Financave për kompensim.

“Nga shtatorit të vitit të kaluar, Qeveria ka marrë vendim për themelimin e një sekretariati. Tash e tutje, kompensimet për të gjitha veprimtaritë do të ekzekutohen nëpërmjet këtij sekretariati. Ne kemi informacion se tashmë ekziston një raport final dhe ai është dërguar në Ministri të Financave dhe pritet që njërën nga mbledhjet e Qeverisë të kompensohen”, deklaroi Peci.

Lidhur me këtë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar kryetarin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili ka kërkuar krijimin e një fondi emergjent të komunave nga ekzekutivi, në rast të fatkeqësive natyrore.

“Ne në Kuvend që e patëm Kuvendin e Asociacionit, u ngrit shqetësimi që dëmet e vitit të kaluar nuk janë kompensuar për bujqit. Ne kemi kërku me e pasë një fond emergjent. Për shkak të byrokracisë në nivel qendror, qytetarët po pësojnë se po duhet me pritë pesë mujë apo ndoshta, më shumë se gjysmë viti, deri po fillojnë procedurat e kompensimit. Ne si Asociacion kemi kërku që me e pasë një fond emergjent për komuna. Kjo nuk është qasje serioze ndaj komunave në këtë drejtim, sepse niveli qendror duhet me reagu më shpejt. Njëherë bëhet vlerësimi, tani merret vendimi në Kuvend Komunal, tani dërgohet në Agjencinë e Emergjencave, vërtetohen e më pas shkojnë në Komision. Me muj të tëra po merr. Nëse ka vërshime, me ua qitë komunave paret. Nëse ka vërshime, sepse nëse s’ka vërshime komunat ua kthejnë paret qeverisë, nuk i keqpërdorin ato”, ka deklaruar ai.

Mitrovica u godit nga vërshimet në fillim të këtij viti. Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, pati thënë se vërshimet patën shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 9 milionë e 100 mijë eurove.

Ndërkaq, Skenderaj pësoi dhjetëra miliona euro dëme materiale si pasojë e vërshimeve.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img