Site icon PrishtinaPress

Qeveria: Në tregun e Kosovës nuk gjenden mallra të “kamufluara” nga Serbia

Në tregun e Kosovës nuk ka mallra të “kamufluara” nga Serbia, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Këto deklarata vijnë disa ditë pasi që ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq, tha se se mallrat nga Serbia mund të hasen në gjithë Kosovën dhe se ato po arrijnë atje përmes rrugëve alternative, kryesisht përmes Kroacisë dhe Maqedonisë.

Në Kosovë ka tre muaj që kur Qeveria ka vendosur taksën doganore 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Nga ajo kohë, importi nga këto vende ka rënë tërësisht, edhe pse në treg ende nuk vërehet ndonjë mungesë e theksuar e produkteve nga Serbia.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka konfirmuar se në tregun vendor nuk ka produkte të Serbisë që mund të konsiderohen si mall i kontrabanduar apo mall që nuk ka kaluar të gjitha procedurat e rregullta doganore.

“Tek deklarata e ministrit serb Lajiq se në Kosovë po futet mall i ri-eksportuar, them se edhe Dogana edhe Ministria e Tregtisë janë duke monitoruar dhe vëzhguar secilin mall që futet në Kosovë për të vërtetuar se mos ky mall është duke u ri-eksportuar, që nënkupton mos është duke shkuar nga Serbia në Maqedoni të ripaketohet, pastaj ai mall të futet në tregun e Republikës së Kosovës.

Deri më tash, përkundër inspektimeve të shpeshta në tregun e Republikës se Kosovës nuk është gjetur mall i cili mund të konsiderohet mall i kontrabanduar”, tha Shala.

Nisur nga deklaratat e ministrit Lajiq, ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala, ka urdhëruar Inspektoratin e tregut që së bashku me inspektoratet komunale, të bëjnë inspektime intensive për të verifikuar çdo dokumentacion të produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, por edhe vendeve tjera dhe krahasimin e këtyre dokumenteve me produktet e ekspozuara në tregun e Kosovës.

Ministri serb Lajiq kishte thënë po ashtu se nëse shikohet në veri apo në jug të Kosovës, gjithkund mund të hasen mallrat nga Serbia të cilat mbërrijnë atje përmes rrugëve të ndryshme. Si formë alternative të eksportimit të mallrave nga Serbia në Kosovë, ai ka përmendur rastet kur mallrat dërgohen në Maqedoni, ripaketohen dhe shkojnë në tregun e Kosovës si mallra nga Maqedonia.

Por, Ministri Shala tregon se sasia e produkteve nga Serbia të ekspozuara në dyqane po vazhdon të qëndrojë për shkak se qytetarët nuk po blejnë më produkte më origjinë nga Serbia.

“Informacionet që i ka MTI-ja nga pikat shitëse flasin se sasia e madhe e produkteve serbe në marketet në Kosovë është për arsye se qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk janë duke e konsumuar më produktet serbe”, tha Shala.

Edhe zyrtarët e Doganës së Kosovës i kundërshtojnë deklaratat e bëra në Beograd. Sipas tyre, zyrtarët në Beograd po tentojnë të çrregullojnë tregun e Kosovës dhe të rrisin nivelin e kontrabandës dhe krimit të organizuar.

Madje sipas të dhënave zyrtare, ata thonë se nuk vërehet ndonjë rritje e theksuar e importit të produkteve nga Maqedonia, që lënë hapësirë për dyshim se mallrat e Serbisë paketohen në Maqedoni.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se në bazë të të dhënave zyrtare, ka pasur disa raste të tentimit të kontrabandës, por që si të tilla janë ndaluar nga zyrtarët doganor. Sipas tij, përgjatë këtyre tre muajve nuk ka pasur rritje të kontrabandës as në veri të vendit dhe as pjesët tjera të Kosovës.

“Sipas të dhënave të Doganave nuk kemi kësi lloji problemesh, mund të ketë potencial për këto gjëra që të bëhen, por kjo tregon se vetë shteti serb është i interesuar për krim të organizuar dhe kontrabandim.

Kur kemi kësi lloji deklaratash prej ministrave të cilët përfaqësojnë një shtet tjetër, atëherë ideja është që ata tentojnë të destabilizojnë tregun nën Kosovë, tentojnë të shpeshtojnë kontrabandën dhe krim të organizuar”, tha Stavileci.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është në fuqi që nga 21 nëntor i vitit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës që ta heqë këtë masë, duke thënë se ajo nuk përkon me interesat amerikane, pasi që si e tillë ka efekt negativ në vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi.

Exit mobile version