Qeveria e Ramush Haradinajt po përballet me mjaft kundërshtime, sidomos ditëve të fundit pasi vetë kryeministri u përfshi në një skenar për rrëzim të Gjykatës Speciale. Kjo solli humbjen e përkrahjes, ndërkohë që për këtë shkak dhe bashkimin e opozitës, sipas analistëve kjo qeveri së shpejti mund ta ketë ditën e fundit.
Analisti Behlul Beqaj ka vlerësuar se opozita e bashkuar dhe humbja e përkrahjes nga ndërkombëtarët mund ta sjell fundin e Qeverisë Haradinaj.
“Marr parasysh si është krijuar kjo Qeveri, mundësinë e prishjes optimale të interesave të ndërsjella, opozitën e fortë (nëse ndërkohë nuk ndryshojnë raportet) humbjen e vazhdueshme të mbështetjes ndërkombëtare, kjo Qeveri duhet të përgatitet se çdo ditë e re mund të jetë e fundit”, ka thënë Beqaj, për Telegrafin.
E se qeveritarët duhet të ndryshojnë qasje, Behlul Beqaj mendon edhe për marrëveshjet e arritura në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka bërë me dije se mosratifikimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, do të nënkuptonte edhe mospërkrahje të serbëve për transformimin e FSK’së.
“Nëse faktorët kyç nuk ndërrojnë qasjen radikalisht karshi liberalizimit, demarkacioni nuk ka mbështetjen e nevojshme në parlament…AKS , edhe nëse Qeveria bënë çdo gjë me kohë dhe si sugjeron Gjykata Kushtetuese, serbët nuk do të pajtohen me një zgjidhje të tillë. Ndërsa, mosformimi i AKS , nënkupton edhe mosdhënien e pëlqimit të Listës serbe për transformimin e FSK-së në FAK”, tha ndër të tjera Beqaj.
Ndërkohë, Beqaj ka përmendur edhe procese të tjera të rëndësishme të Kosovës që sipas tij do të pengohen nga rrethana jo të favorshme për, siç ai e quan, ‘sjelljen jo kooperative të Qeverisë me opozitën dhe ndërkombëtarët’.
Ai përmend Demarkacionin, asociacioni, liberalizimin e vizave, formimi i ushtrisë, luftimi i krimit dhe i korrupsionit, si sfida kryesore të qeverisë Haradinaj edhe për vitin që sapo hymë.
Ndryshe, Haradinaj me të marrë detyrën e të parit të Qeverisë, kishte premtuar se qeveria e tij do të merr vendime të mëdha pasi gjatë qeverisjes së Isa Mustafës e kishte kritikuar për mungesë guximi për t’u marrë me tema të mëdha.