1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Qeveria në largim parasheh punë shtesë për “Bechtel-Enka-n”, prej mbi 32 milionë euro

Konsorciumi turko-amerikan “Bechtel-Enka”, që ka ndërtuar dy autostradat kryesore në Kosovë, përkatësisht atë që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe autostradën tjetër që shtrihet nga Prishtina në Han të Elezit, në kufi me Maqedoninë e Veriut, pritet të qëndrojë në Kosovë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Vazhdimi i kontratës me këtë konsorcium është parashikuar nga Qeveria në largim e Kosovës, ndonëse vendimi final mbetet te qeveria e re që pritet të formohet si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Nëse qeveria e re vendos që të zbatojë vendimin e qeverisë së tashmë në largim, për zgjatjen e afatit të përfundimit të kontratës për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, atëherë “Bechtel-Enka” do të vazhdojë të punojë edhe më tutje në Kosovë.

Në bazë të këtij vendimi, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka kërkuar nga Ministria e Financave, që të përfshihet në buxhetin e vitit 2020, një vlerë prej mbi 32 milionë euro, për siç thuhet, realizimin e dy lidhjeve dhe një mbikalimi në këtë autostradë.

Ministri në largim i Infrastrukturës, Pal Lekaj në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se në bazë të vendimit të qeverisë, Ministria në projektimet buxhetore duhet të planifikojë edhe realizimin e këtij projekti, i cili duhet të përfshihet në buxhetin e vitit 2020.

Por, Lekaj sqaron se negociatat me kompaninë në fjalë nuk kanë përfunduar dhe nuk dihet çmimi përfundimtar.

“Nuk mundemi tani të kemi saktësi në projektim sepse projekti mund të kushtojë më tepër apo më pak. Por, sidoqoftë, ato mjete shfrytëzohen për të njëjtin destinim. Nëse nuk shpenzohen kthehen në suficit, apo në projekte të tjera, që sipas Ligjit për financa publike, ministritë në fjalë mund ta ndryshojnë projektimin deri në vlerën 5-15 për qind. Por, i gjithë ky proces do të kalohet në qeverinë e ardhshme”, tha Lekaj.

Në Ministrinë e Financave në Qeverinë e Kosovës, konfirmojnë se kanë pranuar një kërkesë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me një vlerë prej mbi 32 milionë euro.

Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave, tha se Ministria e Infrastrukturës me kërkesë buxhetore për vitin 2020, ka paraqitur kërkesën në shumën prej 32,200.000 euro, ne emër të realizimit të projektit (ndërtimin e kyçjeve nga Ferizaji dhe Vitia në autostradën ‘Arbën Xhaferi’ dhe mbikalimin në Paldenicë, Komuna e Hani të Elezit”.

Në vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 28.05.2019, thuhet se “aprovohet kërkesa e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për zgjatjen e afatit të përfundimit të kontratës për ndërtimin e autostradës ‘Arbën Xhaferi’ nga data 01.06.2019 deri me 01.12.2020”.

Në këtë vendim është aprovuar propozimi për ndërtimin e kyçjeve në Ferizaj, Viti dhe mbikalimin në Paldenicë, Komuna e Hani të Elezit.

Ministri në largim, Pal Lekaj, thotë se arsyeja e vazhdimit të këtij projekti, vjen pas kërkesave të shumta të qytetarëve të atyre vendbanimeve.

“Nuk janë projektuar kyçjet e përpara dhe pas kërkesave dhe insistimeve të shumta të qytetarëve dhe një fizibiliteti që është bërë, ka ardhur kërkesa në qeveri që të miratohet një vendim i tillë. Dhe qeveria në bazë të ligjit ka marrë një vendim që ka autorizuar Ministrinë e Infrastrukturës të negociojë me kompaninë ‘Bechtel-Enka’, theksoi Lekaj.

Ky vendim është marrë vetëm një dita para inaugurimit të autostradës “Arbën Xhaferi” e cila shtrihet nga Prishtina në Han të Elezit, në kufi me Maqedoninë e Veriut. Nga Hani i Elezit, projekti rrugor parashihet të vazhdojë në drejtim të Shkupit, kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike kanë kritikuar kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Agron Demi nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”, ka shkruar se “natyrisht se këto 32 milionë euro janë vetëm sa të kalojë kohën ‘Bechtel-Enka’, derisa të kryhen procedurat për Autostradën e Dukagjinit në mënyrë që t’i ndahen edhe 590 milionë euro tjera”.

Autostrada “Arbën Xhaferi” ka gjatësi prej 60 kilometrash dhe njihet për urën më të gjatë në Ballkan.

Sipas autoriteteve në Prishtinë, autostrada “Arbën Xhaferi” i ka kushtuar buxhetit të Kosovës mbi 600 milionë euro.

Përveç kësaj shume financiare, kompanisë “Bechtel-Enka” vitin e kaluar Qeveria e Kosovës i kishte ndarë edhe 53 milionë euro shtesë, me arsyetimin se qeverisë gjatë kohës sa udhëhiqej nga ish-kryeministri Isa Mustafa kishte dështuar t’i paguante me rregull faturat këtij konsorciumi.

Për ndarjen e këtyre mjeteve tashmë kanë filluar hetimet nga Kryeprokuroria dhe Policia e Kosovës.

Konsorcium amerikano-turk, “Bechtel Enka” ka ndërtuar edhe autostradën që lidh Kosovën me Shqipërinë, me një çmim prej rreth një miliard euro.

Gjatë mandatit të saj, ‘Qeveria e Haradinaj’, kishte projektuar edhe një autostradë tjetër, atë që lidh qytetet Istog- Pejë – Deçan- Gjakovë dhe Prizren, e njohur si Autostrada e Dukagjinit. Kjo autostradë, llogaritet një ndër më të gjatat në territorin e Kosovës, me 91 kilometra gjatësi.

Sidoqoftë, jetësimi i këtij projekti tani mbetet në duart e Qeverisë së re të Kosovës./rel/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img