Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti mban sot mbledhje, ndërsa do të raportojë për 100 ditshin e qeverisjes.
Mbledhja e Qeverisë do të mbahet në ora 14:00.
Ndryshe, një ditë më parë Qeveria Kurti shënoi 100 ditët e saj në pushtet, ndërsa gjysmën e këtyre ditëve i kaloi si Qeveri në detyrë. Qeveria Kurti e cila u votua më 3 shkurt u rrëzua pas 53 ditësh, me një mocion të mosbesimit që kishte iniciuar partia në koalicion, Lidhja Demokratike e Kosovës, e që ishte përkrahur edhe nga partitë opozitare.
Për rrëzimin e Kurtit më 25 mars, kishin votuar 82 deputetë.
Analistët politikë kanë vlerësuar punën 100 ditësh të Qeverisë Kurti, ata kanë theksuar se Qeveria gjatë kësaj periudhe ishte e përkushtuar në luftën ndaj COVID-19, shkruan Telegrafi.
Valmir Ismaili nga Demokracia Plus, një ditë më parë tha për Telegrafin se Qeveria Kurti që nga fillimi është karakterizuar me mosbesim ndërmjet partnerëve LVV-LDK.
“Është pak e vështirë që të jepet një vlerësim objektiv për 100 ditshin e Qeverisë Kurti për dy arsye: e para, pothuajse se gjysma e këtyre 100 ditëve kanë qenë ditë të qeverisë në detyrë; dhe e dyta, energjia kryesore e kësaj qeverie është fokusuar në menaxhimin e situatës me COVID-19. Megjithatë, ajo çfarë mund të thuhet për këtë qeveri është karakterizimi me mosbesim që nga fillimi ndërmjet partnerëve kryesor në koalicion VV-LDK, gjë që edhe çoi në mocionin e mosbesimit nga Kuvendi i Kosovës”, u shpreh ai.
Për punën që ka bërë Qeveria gjatë këtyre 100 ditëve, ka folur edhe Visar Xhambazi nga Demokracia për Zhvillimi ( D4D).
“Në fakt Albin Kurti nuk duhet të vlerësohet për 100 ditët, por vetëm për 50 ditët e tij. Në aspektin e brendshëm, Qeveria Kurti reduktoi dukshëm numrin e ministrave dhe zëvendësministrave në Republikën e Kosovës dhe përmbysi vendimin e ish kryeministrit Haradinaj për dyfishim të pagës. Javët e para u karakterizuan me shkarkime dhe depolitzim të institucioneve”, tha ai për Telegrafin.
Në anën tjetër, analisti politik, Blerim Vela tha se Qeveria Kurti është përballur me sfida në aspektin e jashtëm dhe të brendshëm.
“Në aspektin e brendshëm, si rrjedhojë e mosbesimit mes partnerëve qeverisës dhe presionit të vazhdueshëm opozitar në Kuvend lidhur me gjoja prishej e raporteve me SHBA-të. Qeveria LVV-LDK, nuk arriti të imponojë agjendën e saj legjislative në Kuvend, kështu që, ajo u rrëzua me votimin e suksesshëm të mocionit të mosbesimit të Qeverisë, gjë që kufizoj në masë të madhe aftësinë e saj të realizoj prioritetet e saj programore që lidheshin ngushtë me miratimin e ligjeve të reja”, u shpreh ai.