-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Qeveria miraton një varg vendimesh në mbledhjen e saj të 52-të

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka zhvilluar mbledhje korresponduese/elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar disa vendime nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Vendimi i parë që ka marrë miratimin nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka qenë vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 09/50 të datës 21.12.2020. Sipas ndryshimeve dhe plotësimeve të këtij vendimi, mjetet e ndara për ndërtimin e objektit të ri të administratës së Komunës së Lipjanit, në shumën prej 543 mijë e 347 euro kthehen në buxhetin e Ministrisë së Pushtetit Lokal. Gjithashtu sipas këtij vendimi këto mjete transferohen ne Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në vazhdim është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve shtesë financiare sipas kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme/Policia e Kosovës, për kompensimin e angazhimit të shuar në terren të zyrtarëve policorë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj pandemisë COVID-19. Sipas vendimit për zyrtarët aktiv policor do të ndahen mjetet financiare në vlerë prej 1 milion e 598 mijë e 100 euro. Këto mjete shtesë ndahen për 6 mijë e 124 zyrtarë policorë, nga 100 euro në muaj për periudhën Tetor, Nëntor dhe Dhjetor. Realizimi i pagesës së këtyre shtesave do të bëhet me pagën e muajit dhjetor 2020, përmes Sistemit të Pagave.

Ka marrë miratimin e Qeverisë së Kosovës edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë 12/26 të datës 21.08.2020.

Sipas këtij vendimi Hykmete Bajrami nga Ministria e Financave, si anëtare e Bordit Drejtues të Fondit për Sigurime Shëndetësore, zëvendësohet nga z. Ermal Lubishtani.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për aprovimin e Vlerësimit të Rrezikut Kombëtar të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit në Kosovë. Vendimi obligon Ministrinë e Financave që të publikojë dhe shpërndajë vlerësimin e rrezikut kombëtar të pastrimit dhe financimit të terrorizmit në Kosovë. Në rast mospublikimi, Ministria e Financave obligohet të publikojë përmbledhje të vlerësimit dhe listën e masave të nevojshme që duhet të ndërmerren.

Qeveria gjithashtu ka shqyrtuar Planin e veprimit të rekomanduar për përmirësimin e sistemit të Luftimit të Pastrimit të Parave/Luftimin e Financimit të Terrorizmit. Me këtë vendim, i cili ka dalë nga rekomandimet për përmirësimin e sistemit të luftimit të pastrimit të parave/luftimi i financimit të terrorizmit, njësia për Inteligjencë Financiare e Republikës së Kosovës është caktuar të bëjë monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të Raportit të vlerësimit për të mundësuar rishikimin e efektivitetit të sistemit kombëtar në përputhje me rrethanat sipas Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit.

Në mbledhjen e sotme është shqyrtuar dhe aprovuar vendimi për autorizimin e transferimit të mjeteve nga fondet e huamarrjes nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim, të ndara në Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike. Vendimi i miratuar nga Qeveria autorizon transferin e 21 milion e 510 milion euro nga fondet e huamarrjes nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim, të ndara për Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike. Këto mjete transferohen te Fondi Kosovar për Garanci Kreditore.

Pas shqyrtimit është aprovuar nga kabineti qeveritar edhe kërkesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për shpronësimin e 121 veprave të artit të autorëve bashkëkohorë, të cilat ndodhen në objektin e Hotelit Grand i cili është nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Këto vepra të artit do të barten në Galerinë Kombëtare të Kosovës e cila do të përkujdeset për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre.

Në mbledhjen e sotme Qeveria poashtu ka miratuar vendimin për shfuqizimin e pjesshëm të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – Nr. 06/2019, për Kushtet Teknike për Import, Deponim, Shitje me Shumicë, Shitje me Pakicë të Karburanteve të Naftës dhe Pastrim të Rezervuarve. Sipas vendimit shfuqizohet neni 6 i Udhëzimit Administrativ. Në titullin e Udhëzimit Administrativ gjithashtu fshihet fjala “dhe Pastrim të Rezervuarëve”.

Edhe Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – Nr. 11/2020 për Përcaktimin e Kushteve dhe Kritereve për Subjektet që merren me Tregtimin e Duhanit dhe Produkteve, me vendimin e sotëm është shfuqizuar pjesërisht. Sipas vendimit të miratuar nga kabineti qeveritar është shfuqizuar neni 15 i Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – Nr. 11/2020 për Përcaktimin e Kushteve dhe Kritereve për Subjektet që merren me Tregtimin e Duhanit dhe Produkteve të tij, si dhe neni 3 i Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – Nr. 16/2020 për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – Nr. 11/2020 për Përcaktimin e Kushteve dhe Kritereve për Subjektet që merren me Tregtimin e Duhanit dhe Produkteve të tij. Vendimi obligon Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që të ndryshojë dhe plotësojë Udhëzimet Administrative. Deri në nxjerrjen e Udhëzimit Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ për Përcaktimin e Kushteve dhe Kritereve për Subjektet që merren me Tregtimin e Duhanit dhe Produkteve të tij, subjektet të cilat merren me tregtimin e duhanit janë të liruara nga pagesa e taksave për licencim.

Qeveria e Republikës së Kosovës i ka proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për përzgjedhjen e katër (4) anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Në listën e rekomanduar janë këta kandidatë:
1. Festim Kutllovci
2. Ibrahim Krasniqi
3. Skender Sallahu
4. Hasan Fejzullahu
5. Muharrem Sejdiu
6. Xhavit Rraci
7. Basri Kokolli
8. Sali Mulaj
9. Burim Fetaj
10. Ibush Luzha
11. Bujar Hasimi
12. Kreshnik Rugova.

Kuvendit të Republikës së Kosovës i janë proceduar edhe kandidatët për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë:
1. Vehbi Safiu
2. Luan Morina
3. Bekim Jakupi

Qeveria, në takim e sotëm online, ka ndarë 105 mijë euro për dhjetë (10) OJQ-të Strehimoret e licencuara të cilat ofrojnë shërbime për mbrojtje të fëmijëve, strehimin e viktimave të dhunës në familje dhe viktimave të trafikimit.

Për shpenzimin e këtyre mjeteve, strehimoret/OJQ-të, obligohen të dorëzojnë raporte narrative dhe financiare në Departamentin e Politikave Sociale dhe të Familjes dhe në Divizionin për Buxhet dhe Financa në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img