Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozim të Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), sot miratoi plotësim ndryshimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Por një vendim i tillë po kundërshtohet nga drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, duke thënë se për një gjë të tillë nuk janë konsultuar komunat.
Kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se Ligji për Vetëqeverisje Lokale, që nga viti 2008 nuk është ndryshuar e as plotësuar.
“MAPL përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe duke u bazuar në nevojat e komunave ka propozuar ndryshimet e nevojshme të cilat synojnë funksionimin sa më të mirë të vetëqeverisjes lokale në Kosovë. Funksionim më të mirë të komunave do të thotë jetë sa më e mirë për qytetarët dhe shërbime më të mira publike”, ka deklaruar Kurti.
Ministri i MAPL, Elbert Krasniqi thotë ndryshimi i ligjit nuk prek qeverisjen lokale, por përmirëson disa aspekte.
“Plotësim ndryshimi i ligjit fokusohet në sqarimin e kompetencave vetanake, afatet ligjore dhe shqyrtimit të ligjshmërisë së akteve komunale, matjen e performancës së komunave, çështjen e mandateve të anëtarëve të komunave. Është rregulluar çështje kur pozita e kryetarit të komunave mbetet vakante etj.”, ka thënë ministri Krasniqi, përcjell Telegrafi.
Më pas ky propozim është miratuar në Qeveri.
Ndaj këtyre zhvillimeve ka reaguar Asociacioni i Komunave të Kosovës (AAK).
Drejtori i Ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi ka thënë se ndryshimi i ligjit për vetëqeverisje lokale është bërë pa konsultim me komunat.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar që ky proces të shtyhet derisa kryetarët të certifikohen dhe të japin betimin në mënyrë që pastaj të ketë konsultime me kryetarët. Mund të konstatohet që Komunat e Kosovës në këtë proces të plotësim ndryshimit të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale nuk janë konsultuar dhe nuk është marrë mendimi i tyre”.
Ibrahimi thotë se vendimi është i papranueshëm për komunat, duke bërë thirrje institucioneve qendrore që të ulen e të diskutojnë me Komunat e Kosovës për këtë ligj që prek interesat e komunave.
“Kjo në fakt është e pakuptimtë dhe e papranueshme, sepse si mund të ndryshosh një ligj që ka të bëjë me pushtetin lokal e nuk konsultohen Komunat e Kosovës. Kryetarët e Komunave sot në konsultime me Asociacionin e Komunave të Kosovës kanë bërë thirrje institucioneve qendrore që të ulen e të diskutojnë me Komunat e Kosovës për plotësim ndryshimin e Ligjeve që prekin interesat e komunave e në këtë rast ftojmë Parlamentin e Republikës së Kosovës që të konsultojë komunat para se ta miratoj ligjin për Vetëqeverisje Lokale, ligj i cili prek dhe duhet të zbatohet nga vetë Komunat”, thuhet në reagimin e drejtorit Ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës.