Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur në mënyrë elektronike e ka emëruar Anita Kalanderin kryesuese të Komisioni Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranimin e Kategorisë së Lartë Drejtuese për Sekretar të Përgjithshëm të ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
Po ashtu, qeveria bëri të ditur se anëtar i këtij komisioni është emëruar Ilir Muçaj, i cili aktualisht është sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë Nr.16/214 të datës 24 korrik 2024 për emërimin e Komisionit Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Kategorisë së Lartë Drejtuese për Sekretar të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Me këtë plotësim ndryshim, kryesuese e këtij komisioni bëhet znj. Anita Kalanderi, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, kurse anëtar Ilir Muçaj, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klnakosova.tv.
Për këtë vendim ka reaguar dje organizata joqeveritare “CorrWatch”, e cila e ka akuzuar ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për mungesë transparence në procesin e rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të AKT-së dhe pozitën e Sekretarit të Përgjithshmëm në MFPT.
Reagimin e “CorrWatch” e ka shpërndarë edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, teksa organizata tha se ka bërë kërkesën për monitorimin e këtyre dy pozitave për të gjitha fazat e procesit dhe se kërkesat e njëjta janë konfirmuar nga MFPT.