Më 26 mars, Policia e Kosovës arrestoi drejtorin e të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, pasi ai u fut në territorin e Kosovës në mënyrë ilegale, pa lejen e institucioneve të Kosovës. Por kjo nuk përfundoi me kaq. Arrestimi i tij dhe aksioni i gjerë i Njësive Speciale të Kosovës bëri që Lista Serbe në shenjë proteste të vendos për largim nga Qeveria e Kosovës.
Kjo Liste ndërroi edhe pozicionet në ulëset e Kuvendit të Kosovës, duke u afruar tek ulëset e Lidhjes Demokratike e Kosovës, si opozitë.
Një ditë pas largimit të tyre nga Qeveria, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pati deklaruar se ishte e pakuptueshme dalja nga ekzekutivi për shkak të një aksioni i cili ishte mbështetur në ligj.
Ndërkohë në Qeverinë e Kosovës aktualisht ende besojnë në rishqyrtimin e pozicionit të Listës Serbe.
“Qeveria e Republikës së Kosovës beson që Lista Serbe do ta rishqyrtoi me kujdes pozicionin e saj”, ka thënë shkurt, Donjeta Gashi nga Zyra për Informim e Qeverisë.
Ndryshe ditë më parë, Igor Simiq nga Lista Serbe ka thënë se nuk do të kthehen në Qeverinë e Kosovës.
“Qëndrimi që u tregua ndaj popullit serb dhe ndaj përfaqësuesve serb atë ditë në Mitrovicë të Kosovës është i papranueshëm. Në një qeveri të tillë s’mund të kthehemi”, kishte thënë Simiq duke bërë thirrje për shpalljen e zgjedhjeve të reja të parakoshme.
Për largimin e Listës Serbe i ashpër ishte treguar edhe i pari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Ai pati deklaruar se nuk bëhet kiameti nëse është larguar Lista Serbe.
“Ne i thërrasim le të kthehen në qeverisje, por në të njëjtën kohë s’bëhet kiameti edhe nëse nuk kthehen. Por ultimatum as nuk do të ketë as nuk do t’i nënshtrohemi”, ka thënë Veseli.