19 organizata të shoqërisë civile kanë dalë me një komunikatë të përbashkët për, siç thanë, kundërshtimin e inicimit për të shkarkuar rektorin e Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, duke thënë se kjo po bëhet me akuza të pabaza.
“Ditëve të fundit ka pasur ndërhyrje nga zyrtarë të institucioneve shëndetësore, të afërt me partinë në pushtet, të cilët kanë ushtruar presion për ndryshimin e rregulloreve të Universitetit të Prishtinës, ashtu që ato t’u përshtaten atyre me qëllim të punësimit apo avancimit në pozita më të larta akademike”, thuhet në deklaratë.
Siç merr vesh Gazeta Express planifikimi i shkarkimit të rektorit po bëhet për shkak se atë pushteti aktual e konsideron të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës.
Për më tepër, këto organizata thonë se kjo nuk është hera e parë që partia në pushtet përdor metodën e ndërrimit të rregullativës me qëllim të punësimeve dhe avancimeve të njerëzve të saj të afërt në institucione të arsimit.
“Rikujtojmë se para pak muajsh me iniciativë të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, me shmangie nga rregullorja e Kuvendit dhe me procedura të përshpejtuara, është amandamentuar Ligji për Zyrtarët Publikë, me ç’rast u është lejuar deputetëve që të vazhdojnë punën si pjesëtarë të stafit akademik në universitete”, thuhet më tej.
Organizatat shprehin zhgënjimin e thellë me institucionet përgjegjëse për arsimin e lartë në Kosovë, me theks të veçantë me Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas tyre, nuk mori asnjë masë kundër zgjedhjes në Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës të një plagjiatori të denoncuar publikisht, si dhe injoroi deklaratën tonë të datës 29 qershor 2022, ku OJQ-të thonë se denoncuan procesin në fjalë.
“Së fundmi, pa u zgjidhur problemi i anëtarit të Këshillit Drejtues, i cili është denoncuar publikisht për plagjiaturë, anëtarët e Këshillit Drejtues, si nga radhët e Universitetit të Prishtinës, ashtu edhe ata të emëruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kanë iniciuar shkarkimin e rektorit të UP-së prof. dr. Naser Sahiti, pa dhënë asnjë shpjegim për arsyet”.
Organizatat e shoqërisë civile thonë se janë dëshmitare se asnjë skandal nuk është raportuar që nga zgjedhja e prof. dr. Naser Sahitit në pozitën e rektorit.
Përkundrazi, organizatat monitoruese të arsimit të lartë para pak kohësh kanë theksuar avancimin e transparencës në Universitetin e Prishtinës gjatë mandatit të tij. Po ashtu, organizatat monitoruese të UP-së kanë raportuar se në proceset e ndjeshme, si ato të avancimeve akademike, ka pasur meritokraci, thuhet në deklaratë.
“Ne, organizatat e poshtëshënuara, e denoncojmë çdo tentativë të shkarkimit të zyrtarëve të institucioneve të arsimit të lartë pa u bazuar në gjetje reale të keqpërdorimeve të mundshme të tyre, si dhe pa e bërë të qartë se cilat janë ndryshimet që planifikohen të ndodhin”.
Këto janë organizatat:
1. Admovere
2. Balkan Art Zone
3. Çohu
4. DokuFest
5. EC Ma Ndryshe
6. EcoZ
7. ETEA
8. GERMIN
9. Iniciativa për Histori Gojore/ Oral History Initiative
10. Junior Chamber International
11. Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF
12. Qendra Kosovare për Arsim – KEC
13. Kino ARMATA
14. Lëvizja FOL
15. OJQ ZANA
16. Syri i Vizionit
17. Shkëlzen Gashi
18. Shoqata e Intelektualëve të Pavarur në Deçan
19. TOKA