Site icon PrishtinaPress

Qeveria kundër nismës së deputetëve për ndryshimin e Ligjit për tatimin në pronë

Qeveria e Kosovës i është përgjigjur negativisht nismës së disa deputetëve, të cilët kanë iniciuar një projektligj të ri për tatimin në pronë.

Kryeministri Albin Kurti tha se një nismë e tillë është e dëmshme për buxhetin e Kosovës, ku shtoi se një gjë të tillë e konstaton edhe opinioni i Departamentit të Buxhetit të Ministrisë së Financave.

Përmes këtij projektligji, PDK kishte propozuar pezullimin për një vit të vlerësimit të pronave.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është marrë vendim edhe që të lejohet hyrja pa viza të shtetasve të Singaporit.

Kryeministri Albin Kurti tha se inicimi i projektligjit të ri për tatimin ne pronë, nuk është i dobishëm për qytetarin.

“Shqyrtimi i propozim-vendimit me të cilin Qeveria e Kosovës në pajtim me Kuvendin të datës 24 maj 2023 jep mendim lidhur me nismën legjislative për nismën për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme. Qeveria e Kosovës ka propozuar plotësim-ndryshimin e ligjit të tatimit në pronë duke propozuar veprime konkrete dhe me qëllim të zvogëlimit të barrës për qytetarin, përshirë këtyre faljen e borxhit prej 100 euro për vitin 2023, por edhe për propozimin e shkallës progresive të tatimit në pronë. Ky projektligj tashmë është në procedurat para Kuvendit të Kosovës, inicimi i projektligjit të ri për tatimin në pronë përderisa janë në zhvillim e sipër procedurat para Kuvendit të Kosovës nuk krijon dobi për qytetarin. Përtej kësaj propozimet e dërguara nga disa deputetë shkaktojnë edhe dëmtim të buxhetit të Kosovës, gjë që shihet qartë nga opinion i Departamentit të Buxhetit të Ministrisë së Financave, e që do i procedohet Kuvendit. Për këtë propozoj që Qeveria t’i përgjigjet negativisht kërkesës së deputetëve të Kuvendit”, theksoi ai.

Tutje, kabineti qeveritar ka marrë vendim që shtetasve të Singaporit tu lejohet hyrja në Kosovë pa viza. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se përmes këtij plotësim-ndryshimi mundësohet lirimi nga pajisja me viza për hyrje, transit dhe qëndrim në Kosovë për 90 ditë.

Gërvalla: Përmes këtij plotësim-ndryshimi shtetasve të Singaporit ju mundësohet të lirohen nga pajisja me vizë për hyrje
(Video)
“Paraqes para jush kërkesën për shkak se meqë shteti i Singaporit nuk figuron në listën e shteteve ndaj të cilëve Republika e Kosovës nuk aplikon regjim të vizave, me qëllim të eliminimit të qartësive eventuale, propozojmë që të bëhet plotësim i aneksit 1 të vendimit të qeverisë, numër 15 158 të datës 29 nëntor 2013. Përmes këtij plotësim-ndryshimi shteteve të Singaporit ju mundësohet të lirohen nga pajisja me vizë për hyrje, tranzit dhe qëndrim në territorin e Kosovën deri në 90 ditë, për një periudhë prej gjithsej gjashtë muaj. Pra, propozojmë të zbatohet i njëjti regjim i vizave dhe e njëjta procedurë për hyrje, kalim tranzit dhe qëndrim në territorin e Republikën e Kosovës ndaj shtetasve të Singaporit, ashtu siç është përcaktuar edhe për shtetasit e vendeve të tjera”, ka shtuar ajo.

Po ashtu, gjatë mbledhjes së sotme qeveria ka ndarë 11 milionë euro në përkrahjen e Fondit për Garanci Kreditore, në kuadër të masës 2.2 të pakos së ringjalljes ekonomike.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka theksuar se disbursimi i radhës sipas kërkesës së fondit është në shumën prej 11 milionë euro.

Murati: Disbursimi i radhës sipas kërkesës së fondit është në shumën prej 11 milionë euro
(Video)
“Disbursimi i radhës sipas kërkesës së fondit është në shumën prej 11 milionë euro dhe këto mjete do të përdoren si mundësim i rritjes së portfolios, garantimit të mëtutjeshëm të kredive investive për këto lloj biznese”, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.

Exit mobile version