Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar sot se do të ndihmojnë Telekom-in me 1 milion euro për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore të Kosovës.
Ajo ka theksuar se një gjë e tillë po planifikohet për javëve në vijim, ndërkohë që theksoi se Telekom-i është duke u këndellur.
Pas vizitës në këtë ndërmarrje, Rizvanolli u shpreh se gjatë vitit të ardhshëm Vala do të bëhet e Kosovës, e jo e Monakos.
Pasditen e së martës, ministrja e Ekonomisë ka vizituar Telekom-in dhe është takuar me ushtruesen e detyrës së kryeshefes, Burbuqe Hana.
Rizvanolli u shpreh se kjo ndërmarrje është në proces të zëvendësimit rrënjësor të teknologjisë për telefoninë mobile.
“Për periudhën e menjëhershme jemi duke shikuar mundësitë që të ndihmojmë Telekom-in për të përballuar investimet kapitale për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore të Kosovës. Në vlerë prej rreth 1 milion euro, kjo është diçka që do të tentojmë të bëjmë brenda javëve në vijim. Ndërsa, sa i përket vitit tjetër, po flasim për një shumë prej 13 milionë eurosh, e cila do të shfrytëzohet nga Telekom-i, sigurisht që këto duhet të kombinohen zyrtarisht dhe proceduralisht, mirëpo vullneti politik ekziston që Telekom-i të mbështetet me së paku 13 milionë euro për migrimin në kodin telefonik të Kosovës nga kodi i Monakos, si dhe modernizimin e rrjetit”, ka deklaruar Rizvanolli.
Ajo ka thënë se Telekom-i po këndellet dhe shërbimet tani janë më të mira.
“Telekomi po këndellet edhe si kompani edhe si kolektiv i punëtorëve edhe si shërbim ndaj klientit. Menaxhimi me nikoqirllëk, angazhimi i secilës e secilit në krye me një menaxhment, i cili ka dalë nga vet radhët e Telekom-it, dialogu social brenda ndërmarrjes po na sjell perspektiva të mira në këtë ndërmarrje me rëndësi strategjike për vendin tonë dhe me rol të rëndësishëm edhe në sigurinë e vendit. Në Telekom nuk ishte bërë asnjë investim në teknologji që nga viti 2015, po flasim për një teknologji, për një sektor ku gjërat ndryshojnë brenda muajve nganjëherë”, ka thënë ajo.
Në konferencë për media, ajo ka shtuar se gjatë këtij viti Qeveria e Kosovës i ka dhënë Telekomit të Kosovës gjashtë milionë euro hua.
“Gjatë vitit në vijim do të fillojë zbatimi i dy projekteve me rëndësi, e para migrimi nga kodi i Monakos në kodin që Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimit i ka dhënë Republikës së Kosovës. Vala do të bëhet e Kosovës, e jo e Monakos, përfundimisht dhe gjithashtu do të fillojë modernizimi i rrjetit. Që do të thotë që qytetarët shumë shpejt që nga marsi i vitit që po vjen do të fillojnë të ndjejnë përmirësimet në shërbimet e Telekom-it, që është me të vërtetë një zhvillim tejet i rëndësishëm për Telekom-in si ndërmarrje dhe që tregon një të ardhme të bukur për Telekom-in, diçka e cila nuk ka qenë shumë e sigurt në vitet që i kemi lënë pas, mirëpo tani po fillon të bëhet gjithnjë më e besueshme dhe më e realizueshme”, ka deklaruar ajo.
Po ashtu, ministrja e Ekonomisë ka deklaruar se Telekom-i ka paguar mbi 12 milionë euro tatim gjatë këtij viti.
“Telekom-i është shpallur nga Oda Ekonomike tatimpaguesi i vitit 2022. Ka paguar mbi 12.6 milionë euro deri më tani sivjet, duke përfshirë këtu edhe borxhet e vitit të kaluar prej 3 milionë. Trendi i rënies së të hyrave tanimë është ndalur, por është kthyer mbrapsht. Tanimë, në tremujorët e parë dhe nëntë muajt e parë të vitit të hyrat e Telekom-it janë rritur për 8 për qind, ndërsa shpenzimet janë ulur për rreth 9 për qind. Ndërmarrja do të ishte në fitim para zhvlerësimit të aseteve. Për herë të parë që nga viti 2015, sikur të mos ishte pagesa për pakon dalëse të punëtorëve. Jam informuar se 302 punëtorë e kanë marrë këtë pako dalëse dhe kjo ka ndikuar, duke marrë parasysh që ka pasur kritere strikte për vlerësim. Këto dalje nuk kanë ndikuar negativisht në Telekom, por vetëm kanë ndikuar pozitivisht duke i kursyer ndërmarrjes 270 mijë euro në baza mujore”, u shpreh ajo.