Site icon PrishtinaPress

Qeveria ia atribuon vetit meritat për zhbllokimin e procesit të vizave

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ia ka atribuuar Qeverisë Kurti zhbllokimin e procesit të liberalizimit të vizave që pritet të ndodhë nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës të enjten, Bislimi ka thënë se përgjatë dy vjetëve në pushtet, Qeveria ka arritur përparim në edhe në numrin e ligjeve të miratuara, si dhe në implementimin e reformave që janë vonuar për shumë vjet.

“Në kuadër të angazhimeve në qeveri unë i mbuloj tri fusha, atë të integrimit evropian, zhvillimit ekonomik dhe të dialogut. Në fushën e integrimit evropian kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit të kaluar, duke potencuar thirrjen tonë se Kosova i përket familjes evropiane dhe të përkushtimit tonë maksimal në rrugën drejt anëtarësimin në BE. Arritëm të zhbllokojmë procesin e liberalizimit të vizave. Pas shumë vjetëve nga puna dhe angazhimi ynë institucionet e VE-së u bindën për hapat përpara të vendit tonë dhe u dakorduan që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza dhe atë jo më larg se 1 janari i vitit 2024. Miratuam mbi 100 ligje, numrin më të lartë ndonjëherë të reformave në kuadër të integrimit evropian. Në zbatimin e agjendës evropiane shumica e reformave janë të zbatuara ose në zbatim e sipër”, ka thënë ai.

Në foltoren e Kuvendit të Kosovës, Bislimi ka shtuar se disa prej reformave të vonuara që janë zbatuar dhe implementuar në qeverisjen aktuale janë terminalet doganore, ligji për financimin e partive politike e miratimi i rregullores së Kuvendit.

“Ndër to edhe shumë reforma që ishin vonuar për shumë vjet e u zbatuan dhe i implementuam me përkushtim në Qeverinë Kurti. Më lejoni t’i përmend disa sosh: Terminalet doganore, ligji për financimin e partive politike, dy valë të racionalizimit të agjencive, miratimi i rregullores së Kuvendit, ligji për ushqimin dhe ligji për rezervat e obligueshme të naftës dhe disa të tjera. Me rëndësi të veçantë në proceset e integrimit evropian është edhe gjithëpërfshirja. Me Bashkimin Evropian nënshkruam marrëveshje financiare nga programi IPA, prej të cilave vendi përfitoi në total mbi 200 milionë euro”, ka thënë ai.

Mes tjerash, ai ka përmendur edhe dakordimin me Serbinë për Planin evropian.

“Marrëveshja e arritur më 27 shkurt, si dhe marrëveshja për aneksin implementues të 8 marsit në Ohër përmban mes tjerash njohje të principeve të barazisë së shteteve, sovranitetit, autonomisë dhe integritetit territorial, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin, njohjeve të dokumenteve, simboleve nacionale, pasaportave, diplomave, targave dhe vulave doganore, mospengesë në përfaqësim ndërkombëtar, si dhe shkëmbim të misioneve diplomatike”, është shprehur ai.

Exit mobile version