Krahas aktivizimit të organeve të rendit në kërkim të të arratisurve Valon e Kadri Shala, Qeveria e Kosovës i ka nisur një kërkesë dy pronarëve të “LDA Group” Sh.P.K që t’ia kthejnë Thesarit të Shtetit 2 milionë e 77 mijë euro të zhdukura dy javë më parë.
Dy pronarët e kompanisë “LDA Group” Sh.P.K., me bazë në Llapushnik të Drenasit, ndodhen në arrati që nga e marta.
Atë ditë, Policia e Kosovës arrestoi Labinot Grudën, zyrtarin e Thesarit të Shtetit, i cili dyshohet për transferet ilegale në vlerë prej mbi dy milionë eurove në llogarinë e “LDA Group”.
Përmes një kërkese me e-mail drejtuar dy të dyshuarve, të cilët besohet se janë arratisur jashtë vendit, Qeveria e Kosovës i është lutur atyre që në një afat brenda 5 ditëve t’ua kthejnë dy milionë e 77 mijë eurot.
Gazeta Insajderi ka siguruar kërkesën e Departamentit të Thesarit për dy pronarët e “LDA Group”.
“Kërkojmë që në afat prej pesë ditë të ktheni shumën prej 2,077,995.90 Euro në llogarinë e Buxhetit të Republikës së Kosovës në Bankën Qendrore të Kosovës, si pagesë e paautorizuar”, thuhet në kërkesë.
“Ju si operator ekonomik keni pranuar pagesën në llogarinë tuaj dhe nuk keni njoftuar dhe as kthyer mjetet që i keni pranuar nga buxheti i Kosovës”, thuhet në kërkesën e Departamentit të Thesarit për dy pronarët e “LDA Group”.
Kërkesa e qeverisë për bashkëpunim me pronarët e kompanisë me bazë në Drenas, bazohet në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2020 për buxhetin e Republikës së Kosovës.
Sipas këtij ligji, në rast se një individ apo entitet pranon ndonjë pagesë nga Fondi i Kosovës si rrjedhim i gabimit, ato fonde i kthehen Fondit të Kosovës në afat prej 5 ditësh nga pranimi i njoftimit me shkrim nga drejtori i Përgjithshëm i Thesarit, me të cilin njoftohet pala pranuese që ajo pagesë është bërë gabimisht.
Bazuar në dosjet e Prokurorisë së Shtetit, ekzekutimi i pagesave ilegale nga Thesari i Shtetit në llogarinë e “LDA Group” Sh.P.K përfundoi brenda tetë minutave.
Përmes procesimit të katër transaksioneve, në orën 12:41 të së premtes së 9 tetorit, dy milionë euro u derdhën në xhirollogarinë e kompanisë me bazë në fshatin Llapushnik të Drenasit.
Policia e Kosovës njoftoi të mërkurën përmes raportit 24-orësh se është kërkuar bllokimi i llogarive ku dyshohet të jenë transferuar mjetet nga Thesari.
“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro”, thuhej në raportin e Policisë.
Për transferimin ilegal të mjeteve shpalosi detaje edhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media dy ditë më parë, ministrja Bajrami ka thënë se kanë ndodhur katër transaksione të dyshimta me vlerë të përgjithshme prej mbi 2 milionë eurove.