Berlini zyrtar thotë se barrikadat ilegale të ngritura nga serbët e Kosovës duhet të hiqen sa më parë, dhe kërkon që Kosova të pranojë zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe të dakorduar më parë.
“Qeveria gjermane është shumë e shqetësuar për tensionet e fundit në veri të Kosovës. Nga Serbia pritet një qasje konstruktive dhe kjo i është përcjellë Beogradit”, ka thënë zëdhënësi i MPJ-së të mërkurën në Berlin, përcjellë agjencia gjermane DPA.
Siç shtohet, “retorika nacionaliste, siç kemi dëgjuar nga Serbia javët e fundit, është krejtësisht e papranueshme”.
“Prania e shtuar ushtarake pranë kufirit serb me Kosovën dërgon gjithashtu sinjal të gabuar. Prandaj qeveria gjermane kërkon që barrikadat ilegale të ngritura nga serbët e Kosovës të hiqen sa më shpejt”, tha zëdhënësi.
Në të njëjtën kohë, u tha se “Kosova duhet të pranojë zbatimin e asaj që ishte rënë dakord më parë në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe”, duke theksuar se ministria gjermane mbështet bisedimet e të dërguarit special të BE-së, Miroslav Lajçak.
Agjencia DPA rikujton se “afërsisht tre javë më parë serbët ngritën barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar sidomos rrugët për në vendkalimet drejt Serbisë”. Ata kështu, siç shkruan agjencia gjermane, “protestojnë për arrestimin e një ish polici kosovar me origjinë serbe, i cili, sipas autoriteteve kosovare, ka udhëhequr sulmet ndaj zyrtarëve të komisionit zgjedhor”./Prishtinapress/