Kanë mbetur edhe pesë ditë që Qeveria e Kosovës të largojë pjesërisht taksën 100 për qind ndaj mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Sipas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, taksa do të largohet vetëm për lëndën e parë që importohet nga këto dy shtete duke filluar nga 15 marsi.
Advertisement
Shefi i ekzekutivit, ka vendosur edhe disa afate për Serbinë dhe Bashkimin Evropian lidhur më taksën. Ai gjithashtu ka njoftuar se taksën 100 për qind do të heq tërësisht nga data 1 prill, në një afat prej 90 ditësh, mirëpo nëse pala serbe nuk reflekton, Kurti ka thënë se taksa do të kthehet prapë dhe do të vendoset masa e reciprocitetit.
E përveç këtyre deklarimeve të kryeministrit Kurti, këtyre ditëve nuk ka pasur ndonjë zhvillim lidhur me taksën.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka thënë për Telegrafin se nuk ka diçka të re sa i përket kësaj teme.
“Janë edhe 5 ditë deri në 15 mars, nuk është marrë asnjë vendim tjetër përveç asaj që ka deklaruar kryeministri Albin Kurti, të largimit gradual të tarifës dhe vendosjes se masave të reciprocitetit”, deklaroi ai.
I pyetur se a kanë rënë dakord me Lidhjen Demokratike të Kosovës, sa i përket heqjes së taksës, Abazi theksoi se kontaktet me LDK-në janë të përditshme.
“Kontaktet me Lidhjen Demokratike të Kosovës janë të përditshme sepse jemi bashkë në Qeveri, po për taksën nuk ka diçka tjetër përveç asaj që kemi deklaruar deri tash”, theksoi Abazi.
Largimin e taksës e kanë kërkuar edhe partia me të cilën bashkëqeverisë Kurti, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se taksa duhet të hiqet ashtu siç kërkon SHBA.
Ndryshe, qëndrimin e Kurtit për largimin e taksës pjesërisht, nuk e kanë mirëpritur as Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se taksa duhet të largohet plotësisht.
“Ne nuk e mbështesim heqjen e taksës pjesërisht nga kryeministri Albin Kurti. Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të largohet plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo iu bë e qartë edhe Presidentit Thaçi në Shtëpinë e Bardhë Bardhë”, kishte thënë Grenell.
Taksa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës është në fuqi që nga nëntori i vitit 2018.
PostAdss