Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur nëse do të lejojë ose jo mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Pavarësisht se ka vetëm edhe pak ditë kur Serbia do të mbajë zgjedhjet presidenciale, qëllimi i së cilës është që të njëjtat të mbahen edhe në Kosovë, pushteti nuk ka dalë me ndonjë qëndrim të caktuar.
Besnik Berisha, këshilltar ligjor i kryeministri Mustafa, tha të mërkurën për Express se kjo situatë është duke u trajtuar dhe ende nuk ka vendim për këto zgjedhje.
“Nuk ka ende ndonjë vendim, është çështje që është në trajtim për ta shqyrtuar modalitetin nëse lejohet, në çfarë mënyre mund të lejohet votimi. Me aq sa unë jam në dijeni nuk ka pasur deri dje ndonjë vendim të dakorduar në lidhje me këtë çështje”, u shpreh Berisha për Express.
Zgjedhjet presidenciale në Serbi do të mbahen më 2 prill. Ndërkaq, në zgjedhjet e kaluara që ka mbajtur Serbia, qytetarëve serbë të Kosovës, iu ishte mundësuar nga OSBE-ja votimi në Kosovë, duke e quajtur atë një grumbullim votash, e jo hapje e vendvotimeve, edhe pse në veri ishin hapur vendvotime.
Komisioni zgjedhor i Serbisë kishte marrë vendimin që në zgjedhjet e 2 prillit, të hapen 90 vendvotime në territorin e Kosovës.
Kryeministri serb Aleksander Vuçiq njëherësh edhe kandidat për president të Serbisë, i cili e kishte paraparë që sot ta vizitonte Kosovën si pjesë e fushatës së tij presidenciale, refuzoi që ta bënte një veprim të tillë pasi Qeveria e Kosovës i vendosi atij kushte rreth qëndrimit të tij. /D.K