Site icon PrishtinaPress

Qeveria emëron kundërligjshëm antarë të Bordit në Trepçë

Ligji për Trepçën ndalon që në Bordin Mbikëqyrës të gjigantit metalurgjik të emërohen anëtarë të partive politike e njerëz që kanë poste partiake.

Por, Qeveria e Ramush Haradinajt, i cili kur erdhi në pushtet shkarkoi anëtarë bordesh, sot emëroi kundërligjshëm njerëz partiakë në Bordin Mbikëqyrës të “Trepçës”.

Sipas Ligjit për Trepçën, qeverisja e saj bëhet nga Bordi Mbikëqyrës dhe Bordi Menaxhues.

Bordi mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë (sot u zgjodhën gjashtë), të cilët nuk mund të jenë anëtarë të forumeve të partive politike dhe njerëz që në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajshe para datës së aplikimit kanë qenë zyrtarë të zgjedhur publikë, të emëruar politikë ose bartës të një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike.

Kjo ngase referuar Ligjit për Trepçën, në nenin 9, pika 2 ku flitet për zgjedhjen e bordit thuhet “Zgjedhja e Bordit Mbikëqyrës të Trepça Sh.A. bëhet sipas procedurave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi për Ndërmarrjet Publike në Republikën e Kosovës”.

Sipas opinionit të 15 shkurtit 2016 të Agjencisë Kundër Korrupsion, i cili citon nenin 17 të Ndërmarrjeve Publike, thuhet se “zyrtar i zgjedhur publik” – nënkupton individin i cili ushtron një post publik, të cilin e ka fituar përmes zgjedhjeve, ndërsa “i emëruar politik” – nënkupton personin i cili është emëruar, ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur.

E të gjitha këto kritere nuk i ka përmbushur Esat Peci.

Ai ishte zgjedhur asamblist i AAK-së në Mitrovicë. Ai ishte ehe kandidat i partisë së Kryeministrit për kryetar të Mitrovicëssë Jugut. Madje Peci është edhe kryetar i degës së AAK-së në Mitrovicë.

Feriz Fetahu, ishte kandidat për asamble të Mitrovicës nga Partia e Fatmir Limajt, Nisma për Kosovën (tash Nisma Socialdemokrate). Ai mbante numrin 2 në listën e certifikuar nga KQZ.

Referuar kritereve për parazgjedhjen e anëtarëve të bordit, edhe Fetahu shkel Ligjin, pasi që kandidimi me interpretimin e AKK-së “i emëruar politik – nënkupton personin i cili është emëruar, ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur”.

Ardian Syla, ishte anëtar bordi në KUP Prishtina. Ai u emërua emërua anëtar i Bordit të Drejtorëve të KUP “Prishtina” më  30 tetor 2015.

Në biografinë e publikuar në këtë faqe, Syla shkruan se karrierën e tij e ka nisur në Hotel Victory, pronë e bisnismenit Bedri Selmani. Më pas punën e ka vazhduar në Universitetin Victory deri në përfundim të vitit 2009.  Ai në rrjetin social Facebook shihet që shoqërohet me njerëz të PDK-së, e në maj të vitit të kaluar ka postuar foto edhe me kreun e Kuvendit, Kadri Veseli.

Madje Syla gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale shihet edhe në zyrë të shtabit të PDK-së në Prishtinë.

Naser Peci është dekan i Fakultetit të Gjeoshkencave në Universitetin e Mitrovicës. Paraprakish ishte shef i Departamentit të Gjeologjisë dhe profesor i asocuar.

Nga viti 1988 deri në 2003 kishte punuar në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Xhafer Nuli, është inxhinier i diplomuar dhe ishte njëri prej drejtuesve të “Trepçës” në vitet e 70-ta dhe 80-ta.

Shyqiri Sadiku, është kryetar i Sindikatës së punëtorëve të “Trepçës”.

Kujtojmë që në shkurt të këtij viti, pasi mori pjesë në Manifestimin “Java e Minatorëve” në Mitrovicë në 29 vjetorin e grevës së vitit 1989, Kryeministri Ramush Haradinaj e shpalli 2018-ën Vit të “Trepçës”.

Zgjidhen anëtarët shqiptarë, por jo edhe ata serbë

Sot Qeveria ka zgjedhur 6 nga 9 anëtarët e Bordit të “Trepçës”, të cilët janë shqiptarë. Por 3 të tjerët nga komuniteti serb pritet të zgjidhen pas rishpalljes së konkursit.

“3 vende janë lënë të lira sepse nuk ka pasur aplikant të suksesshëm të minoritetit serb. Duhet me shpallë edhe një konkurs dikur që më e mbulu edhe pjesën tjetër. Më 6 anëtarë neve na hapet rruga për më fillu me punë”, i ka thënë “Gazetës Jeta në Kosovë” ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.

Përjashtimi i Ambasadës Britanike

Ndryshe, ka dy javë që “Gazeta Jeta në Kosovë” ka pyetur Zyrën e Kryeministrit pse i ka kërkuar Ambasadës Britanike të mos marrë pjesë në procesin e rekrutimit të kandidatëve, por as këtu nuk kanë dhënë përgjigje.

Paraprakisht Gazeta ka pyetur Ambasadën për rekomandimet e saj në lidhje me kandidatët për bordin e “Trepçës”, pozitë kjo e dakorduar me Memorandumin e bashkëpunimit.

“Pozitat për anëtarë të bordit të Trepçës ka qenë në listën e dakorduar. Ne fillimisht ishim të përfshirë në këtë proces, duke ndihmuar në përgatitjen e konkursit, mirëpo pastaj me kërkesë të Qeverisë jemi larguar”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike.

Për anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës” kanë aplikuar gjithsej 118 kandidatë. Komisioni rekomandues i formuar nga Qeveria, me datën 29 dhe 30 mars 2018, i ka mbajtur  intervistat me gojë me kandidatët për anëtarë të Bordit Mbikqyrës të “Trepça Sh.A”, nga shtatëdhjetegjashtë (76) kandidatë që ishin në listë për intervistë me gojë trembëdhjetë (13) vullnetarisht  kanë  hequr  dorë nga intervista. Ndërsa nga lista e ngushtë, e cila nuk është bërë publike nga Qeveria, ekzekutivi sot ka zgjedhur 6 anëtarë të Bordit.

Tri javë më parë, drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, dha dorëheqje nga pozita e tij si menaxher i kompleksit industrial me arsyetimin se dorëheqjen e tij ka pasur ndikim ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. E ky i fundit tha se Tmavës i ka kaluar mandati më 6 shkurt.

Bordi Mbikëqyrës më pas zgjedh edhe anëtarët e Bordit Menaxhues të gjigantit metalurgjik “Trepça”. Mandati i anëtarëve të bordit është 4 vjeçar.

Exit mobile version