2.5 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Buy now

spot_img

Qeveria e vendosur që mos ta vonojë riprocedimin e Demarkacionit në Kuvend

Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi tash e një muaj i është rikthyer qeverisë pasi që në seancën e 1 shtatorit vetë kryeministri Isa Mustafa e tërhoqi nga rendi i ditës Projektligjin për ratifikimin e kësaj marrëveshje.
Javë më parë kryeministri, Isa Mustafa kishte deklaruar se me tu kthyer nga vizita e tij në Nju Jork do të zhvillojë takim me liderët e partive opozitare dhe se çështja e Demarkacionit do të mbyllet shpejtë.
Mustafa ka thënë se pasi të mblidhen të gjitha faktet, Demarkacioni do të ratifikohet në Kuvend, dhe se një gjë e tillë mund të ndodhë gjatë muajit tetor.
Telegrafi ka kontaktuar me zëdhënësin e qeverisë, Faton Abdullahu për të parë nëse kryeministri Mustafa ka marrë ndonjë vendim sa i përket Demakracionit.
Në përgjigjen e tij, Abdullahu ka theksuar se riprocedimi i Demarkacionit në Kuvend nuk do të vonohet.
“Kryeministri Mustafa sapo është kthyer nga Nju Jorku ku ka qëndruar një javë dhe ka zhvilluar shumë takime konstruktive dhe të dobishme prej të cilave edhe me Presidentin Obama.
Prioritet i agjendës së Kryeministrit tani është demarkacioni dhe e mira është se ekziston vullneti i pajtueshëm dhe i koordinuar i palëve të koalicionit që ky projekt-ligj të mos prolongohet pajustifikueshëm, pra të mos vonohet, por të riprocedohet me bindjen se e gjithë kjo është në të mirën e shtetndërtimit dhe forcimit të Kosovës integrimeve evropiane dhe liberalizimit të vizave”, ka thënë Abduhallu.
Lidhur me këtë njohësi i çështjeve politike, Arben Qirezi ka thënë për Telegrafin se duhet të gjendet konsensus politik në mes pozitës e opozitës.
“Mendoj se një përparim i arritur është që për Demarkacionin të ketë konsensus politik, por në kontekstin e jotransparencës aktuale është vështirë të vlerësohet se si do të shkojë kjo çështje më tutje”, ka thënë Qirezi.
Ai ka shtuar se takimet në mes pozitës e opozitës që po mbahen janë jotransparent.
“Aktualisht është një proces i bisedimeve prapa dyerve të mbyllura në mes pozitës dhe opozitës. Është një proces jotransparent, nga përfundimi i të cilit do të varet se si do të shkojë kjo çështje më tutje”, tha Qirezi.
Në anën tjetër, analisti Imer Mushkolaj ka theksuar se nëse paraprakisht nuk arrihet një pajtim ndërmjet partive politike, atëherë marrëveshja nuk ka shanse të kalojë edhe nëse sjellët sërish në Kuvend.
“Demarkacioni, mund të kalojë po që se disa nga deputetët që e kanë paralajmëruar votën e tyre kundër ndërrojnë mendje, varësisht nga ofertat ose presioni që mund t’iu bëhet. Më e mira do të ishte që të arrihet një ujdi paraprake, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet”, tha Mushkolaj për Telegrafin.
Ai shtoi se çdo përpjekje dhe imponim që marrëveshja të kalojë me çdo kusht nuk çon askund.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img