13.6 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

“Qeveria e Serbisë me deklarata nxitëse”, OKB: Të merren masa kundër kësaj retorike

“Serbia duhet të marrë masa të menjëhershme dhe efektive kundër retorikës urrejtëse dhe përçarëse në diskursin publik që nxit dhunën në shoqëri”, tha ekspertja e OKB-së Irene Khan.

Krejt këto komente ajo i bëri pas dy të shtënave masive në Beograd ku u vranë 17 njerëz, përfshirë tetë fëmijë, e që çuan në protesta masive në fillim të këtij muaji.

Raportuesja Speciale e OKB-së për lirinë e mendimit dhe shprehjes, Irene Khan, tha se të shtënat kanë traumatizuar gjithë Serbinë.

Ajo ka shtuar se fjalimet e fundit të qeverisë serbe kanë inkurajuar ngacmimet dhe sulmet fizike ndaj opozitës dhe gazetarëve në këtë vend, transmeton KosovaPress.

“Është e pandërgjegjshme të përdoret kjo tragjedi si një rast tjetër për të nxitur urrejtje, duke demonizuar dhe fyer mediat e pavarura, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, kundërshtarët politikë dhe të tjerët kritikë ndaj qeverisë.”

Khan vuri në dukje se mijëra njerëz dolën në rrugë për të kërkuar llogari për krimet e kryera, kontroll më të mirë të armëve dhe veprime të fuqishme kundër “gjuhës së urrejtjes” dhe nxitjes së urrejtjes dhe dhunës në mediat tabloide.

“Në vend që të promovojnë drejtësinë dhe llogaridhënien, fjalimet e fundit – duke përfshirë edhe anëtarët e qeverisë – duket se kanë inkurajuar ngacmimet dhe madje edhe sulmet fizike kundër politikanëve, gazetarëve dhe aktivistëve të opozitës”, tha Khan.

Gjatë vizitës së saj zyrtare në Serbi në prill, Khan kishte shprehur shqetësime serioze për shtypin tabloid dhe mediat populiste që promovojnë dhe përforcojnë deklaratat toksike nga politikanët dhe zyrtarët publikë, dhe dështimin e organit rregullator të medias për të ndërmarrë veprime kundër medias.

“Liria e shprehjes është një e drejtë themelore që duhet mbrojtur në çdo kohë, por ligji ndërkombëtar është i qartë se nuk është një licencë për të ngacmuar, frikësuar apo kërcënuar zërat kritikë. Klima aktuale e diskursit politik në Serbi është thellësisht shqetësuese. Qeveria e Serbisë duhet menjëherë të hetojë dhe të sanksionojë frikësimet, kërcënimet dhe nxitjen e dhunës, veçanërisht nga zyrtarët qeveritarë, dhe të sigurojë që të gjitha institucionet dhe organet e shtetit të ndjekin udhëzimet e Kombeve të Bashkuara për luftimin e gjuhës së urrejtjes duke mbrojtur lirinë e shprehjes”, tha Khan.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img