Site icon PrishtinaPress

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Serbisë, nënshkruajnë disa dokumente dypalëshe

Sot në Beograd, gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ministrat e qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë nënshkruan disa dokumente dypalëshe, të cilat siç thonë nga Qeveria e RMV-së, kanë për qëllim afrimin e mëtejshëm të vendeve, ekonomive dhe popujve në mes dy vendeve, të cilat janë rezultat i marrëveshjeve të nënshkruara për Ballkanin e Hapur.

Nga Qeveria njoftojnë se memorandumi i nënshkruar mes ministrave të Punëve të Brendshme të të dy vendeve ka të bëjë me lehtësimin dhe përshpejtimin e qarkullimit të udhëtarëve dhe automjeteve në vendkalimin kufitar Tabanovc-Preshevë.

“Të vetëdijshëm për nivelin e lartë të trafikut të automjeteve të pasagjerëve të gjeneruar në këtë pikë kufitare, ekipet e Ministrisë së Brendshme, Departamenteve të IT-së dhe Policisë Kufitare, Administratave Doganore si dhe Ministrive të Transportit dhe Lidhjeve nga të dyja vendet kanë punuar prej disa muajsh për gjetjen e zgjidhjeve”.

Memorandumi i dytë, i cili u nënshkrua në Beograd, ka të bëjë me një projekt për sistemet e rrjetëzimit për mbledhjen elektronike të tarifave.

“Me intensifikimin e bashkëpunimit rajonal dhe nivelit veçanërisht të lartë të lidhjes mes dy vendeve tona, numri i qytetarëve që udhëtojnë nga Maqedonia e Veriut në Serbi ose anasjelltas po rritet çdo ditë, por intensiteti i automjeteve dhe pasagjerëve që përdorin vendet tona si transit drejt vendeve të treta është i lartë. Në këtë drejtim, ne vazhdimisht po përmirësojmë infrastrukturën e autostradave dhe po ndërtojmë autostrada të reja, por po investojmë gjithashtu në zgjidhje dixhitale që lehtësojnë udhëtimin duke rrjetëzuar sistemet elektronike të mbledhjes së tarifave”, theksojnë nga Qeveria.

Me nënshkrimin e memorandumit, së shpejti të gjithë qytetarët e Serbisë me pajisjen TAG të instaluar do të mund të kalojnë pa ndalesë nëpër rrugët me pagesë në Maqedoninë e Veriut dhe e njëjta gjë do të vlejë edhe për qytetarët e RMV-së tonë kur të udhëtojnë nëpër Serbi.

Memorandumi i tretë, i cili u nënshkrua sot në Beograd, ka të bëjë me bashkëpunimin në fushën e minierave dhe energjetikës./PrishtinaPress/

Exit mobile version